Një sipërfaqe toke në zonën mes Drimadhës dhe Palasës dyshohet se ka qenë shkaku i përshkallëzimit të konfliktit mes Luan Muçës dhe Vasil Bedinajt, që përfi me përdorimin e armëve. Bëhet fjalë për një pronë ku është parashikuar ndërtimi i resortit “Delta Falaise Resort & Village”, në një hapësirë që, sipas Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, i përket Zonës Kadastrale nr. 1739. ASHK sqaron se regjistrimi fillestar i pronave në këtë zonë nuk ka përfunduar ende dhe, sipas marrëveshjes me Bashkinë Himarë, pritet të mbyllet brenda vitit 2027.
Sipas të dhënave të ASHK-së, shoqëria “Delta” sh.a. ka depozituar gjatë viteve 2019, 2020 dhe 2021 dokumentacion për disa tituj pronësie, të përfituar përmes kontratave të shitblerjes, vendimeve të ish-komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronave, vendimeve gjyqësore dhe AMTP-ve. Në korrik 2024 është regjistruar edhe leja e ndërtimit për “Delta Falaise Resort & Village, Zona 1”, e cila rezulton të jetë e vetmja leje e regjistruar deri tani për këtë çështje. Ndërkohë, subjekti tjetër i përfshirë në konfliktin e pretendimeve pronësore nuk rezulton të ketë paraqitur kërkesë apo të jetë pajisur me vërtetim pronësie për këtë zonë.
Megjithatë, ASHK konfirmon se për të njëjtën sipërfaqe është pajisur me vërtetim pronësie, në korrik 2024, një individ tjetër, me një titull pronësie që e ka origjinën nga një vendim i ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Pikërisht ky dokumentacion ka ngritur dyshime për një falsifikim të mundshëm. Për këtë arsye, ASHK ka përcjellë në vitin 2025 dokumentet përkatëse pranë SPAK-ut, për verifikime të mëtejshme. Institucioni sqaron se, në zonat ku regjistrimi fillestar nuk ka përfunduar, vërtetimi i pronësisë është i vlefshëm deri në përfundimin e procesit, ndërsa titujt shqyrtohen dhe pasqyrohen në kartelat dhe hartat kadastrale vetëm pasi të plotësojnë kushtet ligjore.
Ndërkohë, përplasja që lidhet me këtë konflikt pronësor u shndërrua në një incident me armë më 3 shtator. Rreth orës 11:30, në Hotel Regina, në pronësi të Vasil Bedinajt, mbërritën tetë automjete me rreth 18 persona, mes tyre dy vëllezërit Muça dhe persona të sigurisë private.

