Dhjetëra profile të rreme, të identifikuara nga BIRN si të krijuara gjatë muajve të fundit shpërndanë menjëherë fjalimin e së premtes të kryeministrit Edi Rama para grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ndërsa ai ankohej mes të tjerash për algoritmin dhe ndikimet e huaja, që sipas tij nxitën e zmadhuan protestën që i kërkon prej mbi 55 ditësh dorëheqjen. Mes qindra personave që e ndanë fjalimin e Ramës në Facebook, BIRN identifikoi mbi 25 profile të rreme si dhe deputetë të Partisë Socialiste, kryetarë bashkish dhe punonjës të administratës në qeverisjen qendrore dhe lokale.
Gjatë fjalimit të tij, Rama i ndau protestuesit në “flamingo” dhe “sorra”, ndërsa këmbënguli sërish se protesta ishte frymëzuar nga jashtë vendit, përmes manipulimit të rrjeteve sociale. “Flamingoja dha simbolin magjepsës, hija e vjehrrit më të famshëm në botë dha magnetin global dhe algoritmi i yshtur dhe nga ustallarë të ndërhyrjes në punët e vendeve të tjera bëri pjesën tjetër,” tha Rama. Ai pretendoi gjithashtu se një breshëri masive profilesh false ishte lëshuar përmes resë digjitale, profile që Rama tha se “i kemi identifikuar”.
Rama ankohet prej javësh për algoritmin e rrjeteve sociale dhe llogaritë false të kritikëve të tij, por BIRN arriti të identifikonte se qindra profile të rreme u hapën gjithashtu në fund të qershorit nga aktorë që mbështesin qeverinë. Këto profile shpërndajnë postimet e kryeministrit dhe ministrave të kabinetit të tij në rrjetet sociale, ndërkohë që janë angazhuar gjithashtu në sulme të koordinuara kundër mbështetësve të protestës.
BIRN identifikoi mbi 100 profile të rreme në Facebook dhe Instagram, të krijuara mes datave 28-30 qershor dhe të tjerë në korrik. Një pjesë e madhe e tyre u identifikuan duke monitoruar manualisht postimet e kryeministrit në Facebook dhe personat që i kishin shpërndarë ato.
Profilet nuk e fshehin përkatësinë, pasi përdorin kryesisht si pseudonim emra qytetesh dhe lidhje direkte me Partinë Socialiste, të tilla si “Edi Rama per Shqiperine 2030”, “kolonjasot2030” apo “Bulqiza e së Ardhmes 2030”. Edhe pse kanë emra të ndryshëm, profilet shpërndajnë përmbajtje të njëjtë propagandistike.
Për shkak të databazës, BIRN qe në gjendje të identifikonte praninë e këtyre profileve të rreme edhe në ndarjen e fjalimit të fundit të kryeministrit. Mes profileve të identifikuara lehtësisht është pseudonimi “Shigjeta e zezë”, “Bulqiza qe ecen” apo “Flamingot Durres” dhe një mori të tjerë që përdorin emra personash, pavarësisht se nuk janë profile reale./BIRN/ © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: edi rama protesta

