Ish-kryeministri dhe ish-ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, ka paralajmëruar për rritje të paqëndrueshmërisë politike në Ballkanin Perëndimor, duke vlerësuar se zhvillimet në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë mund të ndërthuren dhe të prodhojnë pasoja përtej kufijve të këtyre vendeve.Në një analizë të publikuar në “Radar”, Bildt ka theksuar se tensionet nacionaliste po rikthehen në rajon, ndërsa marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës janë përkeqësuar dhe procesi i integrimit evropian ka humbur një pjesë të rëndësishme të vrullit. Sipas tij, “politika e zymtë” po rikthehet në Ballkan, ndërsa mungesa e një angazhimi të fortë ndërkombëtar po krijon hapësirë për rritjen e pasigurive politike. Bildt ka përmendur si një nga zhvillimet shqetësuese edhe funeralin gjysmëzyrtar në Beograd të Ratko Mladiçit, ish-komandantit ushtarak serb të Bosnjës, i dënuar për krime lufte.Ai vlerëson se ky zhvillim ka rikthyer në vëmendje traumat e luftërave të viteve ’90 dhe ka ushqyer tensionet nacionaliste, veçanërisht për shkak të figurës së Mladiçit dhe perceptimit të tij ende pozitiv në mesin e një pjese të serbëve të Bosnjës.Sipas Bildt, këto zhvillime nuk duhet të shihen të izoluara, pasi ato mund të ndikojnë në klimën e përgjithshme politike në rajon. Një pjesë të rëndësishme të analizës së tij Bildt ia kushton Bosnjës dhe Hercegovinës, ku zgjedhjet e tetorit, sipas tij, mund të kenë pasoja të mëdha për të ardhmen politike dhe kushtetuese të vendit.Ai paralajmëron për mundësinë e bashkëpunimit mes forcave nacionaliste serbe dhe kroate që kërkojnë ndryshime në strukturën kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.Një skenar i tillë, sipas Bildt, mund të perceptohet si kërcënim nga komuniteti boshnjak dhe të nxisë një cikël të ri përplasjesh politike.Ish-kryeministri suedez e lidh këtë rrezik edhe me atë që e konsideron si një angazhim më të dobët të Shteteve të Bashkuara në çështjet e brendshme të Bosnjës dhe Hercegovinës. Në fokusin e analizës së Bildt është edhe situata politike në Serbi, ku protestat e gjata studentore kanë krijuar një lëvizje të gjerë kundër pushtetit. Bildt përmend organizimin e protestuesve përmes të ashtuquajturës Listë e Studentëve dhe ngre shqetësimin për mënyrën se si mund të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme në Serbi.Sipas tij, ekziston rreziku që një rezultat i kontestuar zgjedhor të pasohet nga shpallja e fitores së qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiç, gjë që do të mund të thellonte edhe më tej krizën politike në vend. Bildt e sheh si problematike edhe gjendjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Sipas tij, procesi i normalizimit mes Prishtinës dhe Beogradit ka ngecur, ndërsa çështjet e pazgjidhura në Mitrovicë dhe problemet e tjera politike në Kosovë po shtojnë pasigurinë në rajon.Ai ka përmendur gjithashtu zhvillimet që lidhen me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe proceset në Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke argumentuar se ato kanë ndikuar në marrëdhëniet e Kosovës me disa prej partnerëve të saj ndërkombëtarë. Një nga shqetësimet kryesore të Bildt është edhe dobësimi i perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.Ai vlerëson se strategjia e ndërtuar gjatë dekadave të fundit, e cila mbështetej në integrimin në Bashkimin Evropian dhe në proceset ndërkombëtare të drejtësisë si mjete për stabilizimin dhe pajtimin e rajonit, nuk ka dhënë rezultatet e pritshme. Sipas tij, përjashtime të mundshme janë Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilat vazhdojnë të kenë një perspektivë më të qartë evropiane.Megjithatë, Bildt paralajmëron se edhe progresi i Malit të Zi mund të vihet në rrezik në rast të një krize të re rajonale. Bildt argumenton se rreziku kryesor nuk qëndron domosdoshmërisht te shpërthimi i një lufte të re në Ballkan, por te mundësia që krizat e veçuara politike të ndikojnë te njëra-tjetra.“Çdo vend në rajon po kalon nëpër proceset e veta politike, por rreziku që ato të përhapen tek njëri-tjetri dhe të kenë një ndikim negativ është i konsiderueshëm”, ka shkruar ai.Sipas tij, edhe një përplasje e kufizuar mund të ketë pasoja më të gjera dhe ta shtyjë të gjithë Ballkanin Perëndimor drejt një periudhe më të pasigurt.Në këtë kontekst, Bildt u bën thirrje veçanërisht liderëve evropianë që t’u kushtojnë më shumë vëmendje zhvillimeve në rajon dhe të mos lejojnë që sinjalet e hershme të destabilizimit të injorohen.Ai e sheh situatën aktuale si veçanërisht të ndjeshme, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara janë më të përqendruara në interesat e tyre ekonomike, ndërsa Bashkimi Evropian është i angazhuar fuqishëm me luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe pasiguritë në marrëdhëniet transatlantike.Në përfundim, Bildt paralajmëron se mungesa e një politike të koordinuar ndërkombëtare për Ballkanin mund të krijojë hapësirë për rritjen e nacionalizmit dhe tensioneve politike, duke e bërë stabilitetin e rajonit më të brishtë.

