Lajme Zone
“Unë jam Giorgia”/ Meloni regjistron zërin për t’u mbrojtur nga deepfake-t e Inteligjenca Artificiale
BotëTop Channel

“Unë jam Giorgia”/ Meloni regjistron zërin për t’u mbrojtur nga deepfake-t e Inteligjenca Artificiale

“Deepfake-et janë një mjet i rrezikshëm, sepse mund të mashtrojnë, manipulojnë dhe godasin këdo. Unë mund të mbrohem. Shumë të tjerë jo”, paralajmëronte Giorgia Meloni majin e kaluar, pasi një fotografi e manipuluar e saj, ku shfaqej me të brendshme, u përdor në rrjetet sociale për ta diskredituar.

“Deepfake-et janë një mjet i rrezikshëm, sepse mund të mashtrojnë, manipulojnë dhe godasin këdo. Unë mund të mbrohem. Shumë të tjerë jo”, paralajmëronte Giorgia Meloni majin e kaluar, pasi një fotografi e manipuluar e saj, ku shfaqej me të brendshme, u përdor në rrjetet sociale për ta diskredituar. Tani kryeministrja italiane ka ndërmarrë një hap konkret: Meloni ka depozituar timbrin e saj vokal pranë Zyrës së Bashkimit Europian për Pronësinë Intelektuale, EUIPO, siç konfirmoi Palazzo Chigi.

Regjistrimi i një marke zanore ose vokale garanton të drejtën ekskluzive të përdorimit të një zëri të caktuar në të 27 vendet e BE-së. Synimi është të parandalohet përdorimi mashtrues i zërit të Melonit, i falsifikuar përmes Inteligjencës Artificiale, për qëllime ekonomike, politike apo diplomatike.

Meloni është bërë disa herë objekt i manipulimeve dixhitale. Pesë vjet më parë, fytyra e saj u përdor në një video pornografike, ndërsa korrikun e kaluar një video e manipuluar me AI e paraqiste si figurë të Romës së lashtë, me liderët e opozitës që u hidheshin luanëve. Italia ndërkohë ka forcuar edhe legjislacionin kundër abuzimeve me Inteligjencën Artificiale.

Ligji kuadër i miratuar në vitin 2025 e bën penalisht të dënueshme shpërndarjen mashtruese të përmbajtjeve deepfake dhe përdorimin e AI-së që cenon sigurinë apo integritetin e personave.

Për manipulimin e përmbajtjeve me Inteligjencë Artificiale, duke shtrembëruar realitetin dhe cenuar besimin e qytetarëve, parashikohen dënime nga një deri në pesë vjet burg.

Ndërkohë, në Parlament vijon shqyrtimi i një tjetër projektligji që synon mbrojtjen më të gjerë të identitetit personal përballë teknologjive të Inteligjencës Artificiale, me fokus të veçantë te deepfake-et. Top Channel