Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita po vijon procesin e ripërtëritjes dhe modernizimit të saj, ndërsa Partinë Socialiste e ka akuzuar se po largohet nga qytetarët dhe po shkon drejt shpërbërjes. Gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, Berisha u ndal te mbledhja e fundit e Këshillit Kombëtar të PD-së, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për transformimin e partisë.
Sipas tij, procesi synon forcimin e rolit të anëtarësisë, modernizimin e strukturave dhe përmirësimin e komunikimit, me objektivin që PD të ecë drejt fitores dhe marrjes së pushtetit.
“PD po vazhdon ripërtëritjen e saj”, u shpreh Berisha, duke theksuar se në qendër të këtij procesi duhet të jetë anëtari i partisë, iniciativa dhe hapësira që i jepet atij.
Në një tjetër linjë, Berisha kritikoi qeverisjen socialiste, të cilën e cilësoi si “partia e krimit”. Ai akuzoi mazhorancën se po zhvillon aktivitetet e saj larg qytetarëve dhe protestuesve. Sipas Berishës, zhvendosja e drejtuesve socialistë nga një godinë qeveritare në tjetrën është dëshmi e ndërthurjes, sipas tij, mes shtetit dhe partisë. “De facto ajo po shpërbëhet”, deklaroi Berisha, duke iu referuar Partisë Socialiste. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

