Pas përfundimit të procedurës së detyrimit për paraqitje në GJKKO, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ashpër ndaj zhvillimeve në sistemin e drejtësisë dhe ndryshimeve ligjore të miratuara nga mazhoranca. Në deklaratën e tij për mediat, Berisha akuzoi qeverinë dhe institucionet e drejtësisë për heshtje dhe paralizim të hetimeve, ndërsa ngriti pretendime edhe për ndërhyrje në proceset hetimore dhe kufizim të rolit të medias.
Fjala e Berishës: Tani ju jeni të gjithë kuriozë se çfarë gjeta unë aty. Aty, të gjithë po bënin gati valixhet. Po bënin gati valixhet, kishin mbushur korridorin me dosje që duket po i çonin t’i djegin dhe po brohorisnin rroftë Partia Socialiste.
Dëgjoni pak, me ligjin që kreu i tyre, Edi Rama votoi në parlament, i jep një goditje fatale hetimit, procesit të hetimit dhe procesit të akuzës.
Organi i parë që duhej të reagonte është ky organ, i cili ndaj një ligji të tillë në mënyrën më të turpshme heshti si fija e barit.
Ndërkohë, unë u informova nga Strasburgu se Këshilli i Evropës nuk është absolutisht dakord në asnjë nga ndryshimet e bëra nga Edi Rama. Nuk ka dhënë asnjë miratim për këto ndryshime dhe këtë ia ka bërë të qartë Edi Ramës.
Çfarë nënkupton heshtja e tyre?
Heshtja e tyre nënkupton se këta janë pjesë e komplotit që i bëhet këtij vendi për të shkatërruar hetuesinë tani që në skenë erdhi Edi Rama me hajdutët e tij.
Pra, heshtja e tyre tregon se kemi të bëjmë me një marrëveshje midis tyre dhe Edi Ramës, unë gjithnjë u kam deklaruar ju se ky është një seksion i shpifur i PS.
Se këta janë njerëz pa ligj dhe moral. A mundet institucioni qendror i akuzës, siç është SPAK-u për zyrtarët, të heshtë para ligjit, i cili paralizon hetimin?
A mundet një institucioni i drejtësisë të heshtë para ligjit që rikthen censurën e diktaturës? Që përjashton mediat nga misioni i tyre i informimit të publikut. A mundet një institucion i vërtetë i akuzës të heshtë para faktit se do të detyrohet t’ia çojë provat për të miratuar gjykatësi, pa bërë gjykimin, që e shndërron gjykatësin në hetues në një akt të pashembullt?
Dhe këta heshtin si fija e barit, si hija e turpit dhe tregojnë se çfarë mercenarësh janë. Top Channel

