Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë një konference shtypi tha se, ‘nesër i japim një mesazh qeverisë se studentët kanë dhe do kenë mbështetjen e plotë dhe mburojën e plotë të shoqërisë shqiptare’. Berisha: Pra, protesta, sakrificat e atyre qindra e qindra studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve që u përballën dhëmb për dhëmb me falangat e krimit të qeverisë, ishte mesazhi më i shkëlqyer, ishte zëri më i fuqishëm i një populli, i një shoqërie që lëngon në diktaturën e egër, në narkodikaturën e egër të drogës, krimit dhe korrupsionit të shqiptarëve. Ndaj dhe ftoj edhe njëherë çdo qytetar dhe qytetare, me të gjithë fëmijët e tyre të rritur, gjimnazistë, adoleshentë në klasa të nënta, të teta, të gjithë në shesh nesër, t’u shprehim mbështetjen tonë të plotë, t’u shprehim mirënjohjen tonë të thellë, t’u shprehim dashurinë tonë, respektin tonë studentëve për revoltën e tyre. Dhe t’i japim një mesazh qeverisë se studentët kanë dhe do kenë mbështetjen e plotë dhe mburojën e plotë të shoqërisë shqiptare. Nesër është një ditë prove në ndërgjegjen e çdo qytetari shqiptar, e çdo banori të këtij vendi. Studentët në revoltën e tyre kërkojnë që të mbeten fëmijë të këtij vendi. Kërkojnë që ëndrrën e tyre më të bukur rinore ta ndërtojnë në Shqipëri dhe për Shqipërinë, për veten dhe familjet e tyre. Të gjithë me studentët, të gjithë në Tiranë, kjo duhet të jetë motoja jonë nesër.

