Lajme Zone
PolitikëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Berisha në SHBA, Trump sjell të dërguarin në Tiranë për një qendër të avancuar shëndetësore! Zampolli me Baba Mondin: E mbështesim shtetin Bektashi, por vendosin shqiptarët! Takime me PS dhe PD (VIDEO)


I dërguari i Trump, Paolo Zampolli, zhvilloi takime me përfaqësues të PS dhe PD, ndërsa përcolli mesazhin se Shqipëria është një aleate e rëndësishme e SHBA-së. Në takimin me Baba Mondin, në fokus ishte qendra e avancuar shëndetësore me partnerë amerikanë.

TIRANË- Vëmendjen e veçantë që Donald Trump ka për Shqipërinë, e përcolli në Tiranë Këshilltari Special i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Partneritetin Global, Paolo Zampolli. “Shqipëria është një aleate e shkëlqyer për ne dhe ne, në SHBA, e duam Shqipërinë. Presidenti Trump e do Shqipërinë, Marco Rubio e do Shqipërinë, ne e vlerësojmë mbështetjen tuaj”, tha Zampolli. I dërguari special i Trump pati disa takime informale në Shqipëri me përfaqësues të dy forcave më të mëdha politike në vend, PS dhe PD. Situata politike në vend, por jo vetëm, ka qenë në fokus të diskutimeve me krerët e grupeve parlamentare. LEXO EDHE:Sherri mes biznesmenëve në Vlorë, Tabaku: Përgjegjës është Rama, u dhanë dy leje për të njëjtën tokë “Kam ardhur këtu për të treguar respekt dhe për të vizituar vendin si i dërguar i posaçëm i Presidentit”, tha Zampolli. Kreu i demokratëve, Sali Berisha, nuk ishte në Tiranë ditën që Trump solli të dërguarin e tij. Ai ka shkuar në SHBA për të marrë pjesë në Konventën e Republikanëve, ndërsa dje zhvilloi një takim me militantët e tij, të cilët edhe përtej oqeanit ia braktisën sallën, e cila u filmua me karrige bosh. Mbështetjen e opozitës për administratën e Presidentit Trump e përcolli kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, ku, siç u njoftua në një deklaratë të zyrës së shtypit, edhe Paolo Zampolli “shprehu gatishmërinë për një bashkëpunim të ngushtë me opozitën shqiptare dhe për të ndihmuar që Shqipëria të ecë përpara në proceset e veta demokratike.” Në takim u diskutua edhe mbi situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri. “Përfaqësuesit e PD-së theksuan se krimi i organizuar dhe korrupsioni kanë krijuar një klimë të pafavorshme për investimet e huaja dhe kanë dëmtuar besimin e partnerëve ndërkombëtarë në vend. Qeverisja e Edi Ramës ka krijuar një sistem ku drejtësia pengohet të bëjë punën e saj në mënyrë të pavarur. ‘Axhenda Soros’ ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike dhe institucionale të vendit”, thuhet në reagimin e PD-së. Kryeministrin Edi Rama, Zampolli thotë se e ka takuar disa herë, në Uashington dhe në forume të ndryshme për paqen, ndërsa këtë të hënë, në Kryesinë e Kuvendit, këshilltari i Trump takoi kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ky i fundit tha se i dërguari special i Presidentit amerikan vlerësoi anëtarësimin e Shqipërisë, përmes Kryeministrit Edi Rama, në Bordin e Paqes. “Diskutuam për rëndësinë e miqësisë mes dy vendeve tona. Shqipëria është një aleate e shkëlqyer për ne dhe ne, në SHBA, e duam Shqipërinë”, shkroi Balla. Për këshilltarin e Trump, ky është një moment për të çuar më tej marrëdhëniet e mira mes dy vendeve. “Sapo kemi emëruar një ambasador, ai është një ambasador i shkëlqyer që do t'i shërbejë administratës Trump dhe parimit ‘Amerika e Para’. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara janë të shkëlqyera dhe mund të bëhen gjithnjë e më të mira; prandaj jemi këtu”, theksoi ai. Ajo çfarë tërhoqi më shumë vëmendje ishte edhe një takim i Zampollit me Baba Mondin, që përkoi me 35-vjetorin e rihapjes së selisë së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane pas rënies së komunizmit. Në fokus ishte edhe projekti për ngritjen e një qendre të avancuar shëndetësore në bashkëpunim me partnerë amerikanë. “Kam marrë një ide të përgjithshme për atë që po bëni këtu me partnerët amerikanë dhe është diçka e shkëlqyer. Kjo mund të jetë padyshim një bazë e shkëlqyer, sepse kemi nevojë për spitale. Unë vetë kam luftuar me kancerin për katër vite, ndaj e kuptoj mirë se sa e rëndë është kjo sëmundje. Ne duhet t'i shërojmë njerëzit tanë. Dhe çfarë mund të jetë më mirë sesa të bashkëpunosh me amerikanët?”, tha ai. Nga zemra e qendrës botërore shpirtërore dhe administrative të Bektashizmit, Këshilltari Special i Trump për partneritetin global, komentoi projektin për krijimin e një shteti sovran të Urdhrit Bektashi në Tiranë. Duke e konsideruar një ide të shkëlqyer, ai theksoi se SHBA e mbështet këtë projekt, por fjalën e fundit duhet ta thotë populli shqiptar. Prononcimi për mediat i Paolo Zampollit, i Dërguari Special për Partneritetet Globale i administratës amerikane pas takimit me Baba Mondin Para së gjithash, ju falënderoj shumë. Unë jam Këshilltari Special i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Partneritetin Global. Kam një agjendë shumë të gjerë, e cila përfshin edhe diplomacinë publike. Eprori im, Presidenti Trump, eprori im i dytë, Sekretari Rubio, dhe unë, të gjithë besojmë te marrëdhëniet ndërfetare, te bashkëjetesa dhe te të gjitha shtëpitë e adhurimit. Personalisht, kam pasur fatin e madh që nëna ime të ishte kushërirë e Papa Montinit, Palit VI. Gjithashtu, kam dy shenjtorë në familjen time. Prania ime këtu për mua është prekëse, në nderim të Shenjtërisë së Tij Papa Montini dhe Nënë Terezës. Kam dëgjuar për atë që keni krijuar këtu dhe është e jashtëzakonshme. Doja ta shihja vetë dhe jam vërtet i impresionuar. Nga sa dëgjova, ky është vetëm fillimi. Sapo vizitova spitalin. Shpresoj se ka shumë gjëra që mund t'i bëjmë së bashku për të ndihmuar në zgjerimin e mëtejshëm të këtyre nismave. Pyetje: Shqipëria po shqyrton mundësinë e krijimit të një qendre të avancuar shëndetësore në kuadër të komunitetit Bektashi. A mendoni se ky projekt do ta vendosë këtë vend në hartën ndërkombëtare? Amerika është atdheu im i dytë. Kam lindur në Itali, vendin tuaj fqinj, por tani jam një amerikan krenar. Jam krenar që i shërbej Presidentit. Presidenti është, natyrisht, një president i paqes; ne e dimë që ai ka sjellë paqe. Por ai është gjithashtu një president që e kupton të ardhmen. Që nga dita e parë, ai ka pasur shumë programe lidhur me mjekësinë e re dhe të drejtën për të provuar trajtime të reja. Kam marrë një ide të përgjithshme për atë që po bëni këtu me partnerët amerikanë dhe është diçka e shkëlqyer. Kjo mund të jetë padyshim një bazë e shkëlqyer, sepse kemi nevojë për spitale. Unë vetë kam luftuar me kancerin për katër vite, ndaj e kuptoj mirë se sa e rëndë është kjo sëmundje. Ne duhet t'i shërojmë njerëzit tanë. Dhe çfarë mund të jetë më mirë sesa të bashkëpunosh me amerikanët? Pyetje: Ju keni takime me ministrat shqiptarë dhe përfaqësues të grupeve parlamentare? Çfarë prisni nga këto takime? Mesazhi do të ishte se Shqipëria është një mike. Sapo kemi emëruar një ambasador, mendoj se ai nuk ka mbërritur ende, dhe ai është një ambasador i shkëlqyer që do t'i shërbejë administratës Trump dhe parimit "Amerika e Para". Kam pasur nderin të takoj Kryeministrin shumë herë; madje, pothuajse u takuam së fundmi në Konferencën e Sigurisë në Como. E kam takuar atë së bashku me Mbretin Al-Khalifa të Bahreinit në Uashington, si dhe në forume të ndryshme për paqen ku kam marrë pjesë. Pra, mendoj se mesazhi është ky: ju jeni aleatë. Jeni shumë të rëndësishëm. Ne kemi nevojë për miq në rajone të ndryshme dhe i vlerësojmë miqësitë afatgjata. Gjithashtu, kemi shumë njerëz nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara dhe ju jeni njerëz të mrekullueshëm. Pyetje: Atëherë, çfarë prisni nga këto takime që keni sot? Këto janë të gjitha takime informale. Kam ardhur këtu për të treguar respekt dhe për të vizituar vendin si i dërguar i posaçëm i Presidentit. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara janë të shkëlqyera dhe mund të bëhen gjithnjë e më të mira; prandaj jemi këtu. Le të shohim. Inshallah. Pyetje: Pritet të krijohet këtu një shtet sovran i Urdhrit Bektashi. E kam dëgjuar. Dëgjova Kryeministrin të fliste. Dëgjova Shenjtërinë e Tij dhe njerëzit tuaj vendosin ose do të vendosin. Mendoj se komuniteti ndërkombëtar e respekton vendimin e popullit shqiptar. Unë po mësoj nga ju dhe mendoj se populli shqiptar e dëshiron këtë; pra, është gjë e mirë nëse populli juaj e dëshiron. Pyetje: Populli nuk është shprehur ende. Ah, në rregull. Dëgjova disa njerëz të flisnin, por ndoshta jo popullin në tërësi. Pra, populli duhet të shprehet. Pyetje: Një pyetje për NATO-n? Sinqerisht, NATO është një organizatë që na duhet. Nuk është kjo axhenda ime. Isha me Ambasadorin Ëhitaker në Çernobio, ku ndodhej edhe Kryeministri Edi Rama. Dhe kjo nuk është tamam axhenda ime, por ne e mirëpresim anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 17:20 Ministrja e re e Shëndetësisë takohet me të dërguarin e Trump: Bashkëpunimi i mëtejshëm me SHBA në fusha me rëndësi strategjike Foto: Klodiana Spahiu dhe Paolo ZampolliKlodiana Spahiu, ministrja e re e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka zhvilluar këtë të hënë një takim me Paolo Zampolli, të Dërguarin e Posaçëm të Presidentit Donald Trump.Në një postim në rrjetet sociale Spahiu thotë gjatë këtij takimi diskutuan mbi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe për bashkëpunime të mëtejshme.“Zhvillova një takim tejet miqësor dhe konstruktiv me Ambasadorin Paolo Zampolli, të Dërguarin e Posaçëm të Presidentit Donald Trump dhe Përfaqësuesin Special të Qeverisë Amerikane për Partneritetet Globale. Gjatë bisedës diskutuam mbi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rëndësinë e aleancës sonë strategjike dhe mundësitë e shumta për partneritete konkrete në sektorë të ndryshëm, në shërbim të zhvillimit të vendit dhe qytetarëve.Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi vlera dhe interesa të përbashkëta, ndërsa bashkëpunimi ynë vijon të thellohet në fusha me rëndësi strategjike. Në këtë kontekst, mikpritja e Shqipërisë për Samitin e NATO-s vitin e ardhshëm është një tjetër dëshmi e rolit në rritje të vendit tonë si partner i denjë i Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe i angazhimit tonë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, shkroi Spahiu. Xh.K/Shqiptarja.com Share Ora 16:29 Hoxha takim me të dërguarin e Trump: Mundësi të reja bashkëpunimi në fushat me interes të përbashkët Foto:Ferit Hoxha dhe Paolo ZampolliMinistri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi këtë të hënë një takim me Paolo Zampolli, të Dërguarin Special të Shteteve të Bashkuara për Partneritetet Globale.Përmes një postimi në rrjetet sociale Hoxha shprehet gjatë këtij takimi në fokus ishin jo vetëm marrëdhëniet e mira me SHBA-në, por edhe zgjerimi i mëtejshëm i këtij partneriteti."Kënaqësi të takoja sot Paolo Zampolli, të Dërguarin Special të Shteteve të Bashkuara për Partneritetet Globale. Ne riafirmuam lidhjen e veçantë midis Shqipërisë dhe SHBA-së, dhe vendosmërinë tonë të përbashkët për të thelluar dhe zgjeruar më tej partneritetin tonë strategjik. Miqësia bëhet më e fortë kur krijon partneritete dhe mundësi të reja, të cilat nga ana tjetër përkthehen në lidhje më të ngushta, prosperitet më të madh dhe përfitime më të prekshme për vendet dhe popujt tanë.Ne jemi të përkushtuar për të fuqizuar më tej këtë marrëdhënie, duke zgjeruar bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë tregtinë, angazhimin ekonomik dhe rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri.Për ne, lidhja transatlantike mbetet gurthemeli i sigurisë sonë dhe një spirancë e qëndresës demokratike. Duke thelluar bashkëpunimin dhe duke nxitur partneritete të reja, ne jo vetëm që forcojmë aftësinë tonë të përbashkët për t'u përballur me sfidat e përbashkëta, por gjithashtu investojmë në një të ardhme më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë për të dy kombet tona", shkroi Hoxha. Xh.K/Shqiptarja.com Share Ora 14:09 Takimi me të dërguarin e Trump/ PD zbardh diskutimet me Zampollin: Ngritëm shqetësimin për ‘axhendën Soros’, krimi e korrupsioni pengojnë investimet Paolo Zampolli me grupin e PDPD ka zbardhur fokusin e diskutimeve me të Dërguarin Special të Presidentit Donald Trump për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli. Sipas demokratëve, në takim u diskutua për situatën politike dhe institucionale në vend, korrupsionin, krimin e organizuar dhe atë që opozita e cilëson si “axhenda Soros”.Në takim morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, kreu i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, dhe Jorida Tabaku.Përfaqësuesit e PD-së thanë se krimi i organizuar dhe korrupsioni kanë krijuar një klimë të pafavorshme për investimet e huaja dhe kanë dëmtuar besimin e partnerëve ndërkombëtarë në Shqipëri.Një tjetër çështje e diskutuar ishte ajo që demokratët e cilësojnë si “axhenda Soros”. Sipas PD-së, kjo axhendë ka ndikuar në zhvillimet politike dhe institucionale në vend dhe ka cenuar parimet e funksionimit të demokracisë dhe shtetit ligjor.Deklarata e plotë e Partisë Demokratike për takimin me Paolo ZampollinSekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, Kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, zhvilluan një takim me z. Paulo Zampolli, të Dërguarin Special të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Partneritetet Globale.Gjatë takimit, përfaqësuesit e Partisë Demokratike përcollën qëndrimin e palëkundur të PD-së për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shprehën mbështetjen e saj për administratën e Presidentit Donald Trump.Në takim u diskutua gjerësisht mbi situatën politike, institucionale dhe ekonomike në Shqipëri, si dhe mbi sfidat që, sipas opozitës, po cenojnë demokracinë, shtetin e së drejtës dhe funksionimin normal të institucioneve.Përfaqësuesit e PD-së theksuan se krimi i organizuar dhe korrupsioni kanë krijuar një klimë të pafavorshme për investimet e huaja dhe kanë dëmtuar besimin e partnerëve ndërkombëtarë në vend. Në këtë kuadër, ata nënvizuan nevojën për një Shqipëri ku sundimi i ligjit, konkurrenca e ndershme dhe siguria juridike të jenë garanci për çdo investitor dhe qytetar.Një vëmendje e veçantë iu kushtua shqetësimit të opozitës për përqendrimin e pushtetit dhe kontrollin politik mbi institucionet. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike argumentuan se qeverisja e Edi Ramës ka krijuar një sistem ku kufijtë mes pushteteve janë dobësuar dhe ku drejtësia pengohet të bëjë punën e saj në mënyrë të pavarur.Gjatë takimit u diskutua gjithashtu ajo që përfaqësuesit e Partisë Demokratike e cilësuan si “axhenda Soros” në Shqipëri. Sipas tyre, kjo axhendë ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike dhe institucionale të vendit dhe ka cenuar parimet mbi të cilat duhet të funksionojë një demokraci e konsoliduar dhe një shtet ligjor funksional.Në këtë kontekst, përfaqësuesit e PD-së ngritën shqetësimin për standardet e zgjedhjeve në Shqipëri, duke theksuar se zgjedhjet e lira dhe të ndershme mbeten një prej kushteve themelore për rikthimin e besimit të qytetarëve te institucionet. Ata denoncuan përdorimin e parave të paligjshme, keqpërdorimin e administratës publike për qëllime elektorale dhe lidhjet e politikës me krimin e organizuar si faktorë që, sipas tyre, deformojnë vullnetin e qytetarëve.Përfaqësuesit e Partisë Demokratike theksuan se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të thellë politik dhe institucional, që rikthen llogaridhënien, ndarjen dhe balancën e pushteteve, konkurrencën politike dhe integritetin e proceseve zgjedhore.Z. Paulo Zampolli shprehu gatishmërinë për një bashkëpunim të ngushtë me opozitën shqiptare dhe për të ndihmuar që Shqipëria të ecë përpara në proceset e veta demokratike.Partia Demokratike ritheksoi në takim se do të vijojë të jetë në krah të qytetarëve shqiptarë, në mbrojtje të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe interesit kombëtar, si dhe në funksion të forcimit të marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë historikë. SI.E./Shqiptarja.com Share Ora 14:00 I dërguari i Trump në Tiranë: Shqipëria aleate e shkëlqyer! Shteti bektashi? Projekt i shkëlqyer, e mbështesim, por e vendos populli shqiptar (VIDEO) I Dërguari Special i Presidentit Donald Trump për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, zhvilloi një vizitë në Tiranë. Pas takimeve me përfaqësues të grupeve parlamentare të PS dhe PD, Zampolli në një prononcim për mediat vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së, duke e cilësuar vendin tonë një “aleat të shkëlqyer”, ndërsa komentoi edhe projektin për shtetin Bektashi, për të cilin tha se vendimi u takon shqiptarëve.Zampolli: Kjo është një vizitë kortezie. Diskutuam për rëndësinë e miqësisë mes dy vendeve tona. Shqipëria është një aleate e shkëlqyer për ne dhe ne, në SHBA, e duam Shqipërinë.Shteti bektashi?Zampolli: Mendoj se është një projekt i shkëlqyer, por u takon shqiptarëve të vendosin. Pashë vlerat që përfaqëson, erdha këtu për të mësuar, por mbi të gjitha ne i duam njerëzit e Shqipërisë. Për të gjithë ju, Presidenti Trump e do Shqipërinë, Marco Rubio e do Shqipërinë, ne e vlerësojmë mbështetjen tuaj.Për shtetin bektashi duhet të vendosë populli juaj dhe mendoj se, nëse njerëzit e duan, është diçka e mirë. Mund të jetë një identitet shumë i mirë për shtetin dhe... Ne besojmë në bashkëjetesën ndërfetare.Presidenti im beson te të gjitha fetë dhe te mbrojtja e vendeve të kultit. Për pak sa nuk u takuam me Ramën në Romë. Besoj se ai po udhëton drejt jugut, sepse ka disa zjarre. Shqipëria është në flakë. SI.E./Shqiptarja.com Share Ora 13:43 Takimi me të dërguarin e Trump/ Balla: Shqipëria, rol të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin! Vitin e ardhshëm mirëpresim Samitin e NATO-s Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla priti sot të Dërguarin Special të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, me të cilin zhvilloi një takim ku në fokus ishin marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.Sipas Ballës, gjatë takimit u diskutua edhe për Samitin e NATO-s, që Shqipëria do të mirëpresë vitin e ardhshëm, si edhe për vlerësimin që ambasadori Zampolli shprehu për anëtarësimin e Kryeministrit Edi Rama në Bordin e Paqes."Mirëprita sot të Dërguarin Special të Presidentit të SHBA Donald J. Trump për Partneritet Globale Ambasadorin Paolo Zampolli. Temat e diskutimit ishin të shumta dhe produktive. Shqipëria është shembull i rolit dhe partneriteteve për paqe e stabilitet. Jemi krenarë që Shqipëria do të mirëpresë vitin e ardhshëm Samitin e NATO-s dhe gjithashtu u vlerësua nga Ambasadori anëtarësimi i Shqipërisë përmes Kryeministrit Edi Rama në Bordin e Paqes. Shqipëria është një model botëror i bashkëjetesës ndërfetare, ku harmonia ndërmjet komuniteteve fetare ka shërbyer gjithmone si një themel i rëndësishëm i unitetit dhe kohezionit të shoqërisë shqiptare", shkruajti Balla në rrjete sociale. U.D/Shqiptarja.com Share SI.E./U.D/Shqiptarja.com TAG: Tirane Paolo Zampolli shteti bektashi PS PD SHBA donald trump baba mondi Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 3.0 / 5 (2 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Erlis: 07/09/2026 15:24 Nuk ngeli injorante pa ardhe ne kete vend. Fakti qe del foto me nje idiot si Mondi, ose kriminelin tao tao dihet se çmall eshte. Te fala epshtejnit Përgjigju Emigranti: 07/09/2026 14:19 Qe ta kuptoni se kush eshte ky i "derguari", eshte ai qe i gjente femrat atij monstres Epstein dhe i gjeti edhe gruan Trumpit vete. Përgjigju Prokuror: 07/09/2026 16:00 As nuk do mende qe e kane paguar, duhet te jesh budalla qe mendosh qe ky ka ardh per baba mondin. Avokati: 07/09/2026 14:36 Shume e sakte. Mirret me emnd per çfare punesh te bukura ka ardhur! SHQIP: 07/09/2026 13:05 JU ZËNTË MALLKIMI I POPULLIT SHQIPTAR ! HAJDUTË Përgjigju Sociale: 07/09/2026 16:03 Hajdut eshte amerikani qe e kane paguar te vij ne Tirane per te na shitur idene madheshtore te Edi Rames,se kete hall kemi tani se zjarret qe po na djegin i shuam. Kete e shkruan dikush qe eshte votus i rregullt i PS. Edi25252: 07/09/2026 13:42 O shqip , a mund të më thuash çfar të ka vjedhur Edi Rama . Mos vallë ti je hajdut , narkoman , dhe shpërndarës droge dhe ke bërë burg ? Lexues: 07/09/2026 12:51 Estrade falas. Si ne Shqiperi, ashtu edhe ne Amerike. Përgjigju Miku: 07/09/2026 14:42 Mara emigrante te bashkia e tiranes. Opa u fitua sufllaqja edhe sot Mara emigrante ne Itali: 07/09/2026 13:48 Pika budallenjve qe shajne .Bravo kryeminister come perpara nismen popullin ( SHUMICEN E POPULLIT )e ke me vete prandaj te dhame 83 mandate . Sondazhi i ditës:

7 Shtator, 07:56

Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 80.1% Magjistratëve 14.3% Nuk e di 5.7% Vota total: 777 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 7 Shtator, 07:56 Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?