Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se është kategorikisht kundër ndërtimit të kullës së parashikuar në zonën e Tajvanit, në Parkun Rinia, ndërsa bëri të ditur se PD po mbledh firma për një peticion dhe referendum lokal kundër projektit. I pyetur gjatë bashkëbisedimit me qytetarët se cili është qëndrimi i tij për kullën që pritet të ndërtohet në këtë zonë, Berisha tha se kundërshton ndërtimin e kullave dhe veçanërisht projektin në hapësirën e Parkut Rinia.
Sipas tij, Partia Demokratike po mbledh firma për një peticion, me synimin për të shkuar edhe drejt një referendumi lokal. Berisha deklaroi gjithashtu se opozita do të mbështesë protestat kundër ndërtimit.
Berisha: Së pari, dua t'u garantoj se unë kam qenë, jam dhe do të jem kundër çdo kulle. Por në rast se rikthehesh në periudhën 2005-2013, ju do gjeni se Sali Berisha nuk ka dhënë leje për asnjë kullë dhe ju do gjeni se në ato tetë vite në Tiranë dhe në Shqipëri, nuk është ndërtuar asnjë kullë e vetme. Pra, një njeri që nuk lejoi, nuk miratoi ndërtimin e asnjë kulle, do të thotë se ka një qëndrim të qartë kundra tyre.
Jam në mënyrë kategorike kundër ndërtimit të kullës në parkun e vetëm që ka mbetur tek Tajvani dhe shkatërrimit të tij. Partia Demokratike po mbledh firmat për një peticion dhe referendum lokal kundër ndërtimit, sikundër ju garantoj se do të mbështesim fuqishëm çdo protestë kundër ndërtimit të saj. Projekti për zonën e Tajvanit, i emërtuar “Tirana Fountain Plaza”, është pjesë e një konkursi ndërkombëtar për zhvillimin e hapësirës në Parkun Rinia. Qeveria ka bërë të ditur se në konkurs morën pjesë pesë studio ndërkombëtare të arkitekturës, ndërsa projekti i studios daneze BIG – Bjarke Ingels Group është shpallur fitues. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

