Kryetari i PD-së, Sali Berisha në një deklaratë për mediat nga selia blu ka komentuar fjalimin e kryeministrit Edi Rama në rrjetet e tij sociale.
Berisha u shpreh se Rama duhet të japë dorëheqjen sepse sipas tij është kaluar çdo kufi. Ai theksoi se largimi i Ramës është e vetmja zgjidhje për të rikthyer normalitetin në vend "Unë sot dua të ndalem pak në monologun vulgar të Padrinos së vendit dhe theksoj: Edi Rama jep dorëheqjen, çdo cak është kaluar, çdo vijë e kuqe është shkelur. Fjalimet nga zyra nuk e kthejnë dot stabilitetin në vend. Videot në 6 të mëngjesit ku ti vjell vrerin e zi nuk qetësojnë dot situatën alarmante ku ndodhet Shqipëria prej një javë. Dokrrat me armiq të brendshëm dhe të jashtëm i ke trashëgimi gjenetike nga etërit e tu mizorë. Filmat fantazi me dronë dhe eksplozivë janë një përpjekje e dëshpëruar e jotja, ose mbase një përpjekje që tani që të erdhi fundi për të zhdukur gjurmët e vjedhjes së madhe të dhjetëra milionëve euro në grehinën në oborr të kryeministrisë.
Ka vetëm një zgjidhje për të rikthyer normalitetin në këtë vend dhe e kanë shprehur me qartësi si kristali ata dhjetëra mijëra studentë e gjimnazistë këto ditë të protestës së tyre heroike. Ajo zgjidhje është: Rama jep dorëheqjen. Kjo kërkesë është shprehur qartë edhe nga qindra mijëra qytetarë që mbështesin studentët nga shtëpitë e tyre dhe absolutisht po të jetë nevoja edhe ata do zbresin në shesh krahas djemve dhe vajzave të tyre, ndaj mos e provoko më situatën më tej.
Zgjidhja është vetëm një: jep dorëheqjen menjëherë. Dhuna e vërtetë nuk është ajo që ti mashtron. Po si ke fytyrë dhe del e flet për dhunë para shqiptarëve? Del në mëngjes dhe flet mbi një orë, e quan protestën e mbështetur nga mbarë bota, si flamë. Fëmijët e Shqipërisë i quan të verbër dhe kokëboshë. Akuzon studentët e të rinjtë për dhunë mor faqezi. Jo, Edi Rama, ajo nuk është dhunë. Ajo që ka ndodhur këto ditë është direkt pasojë e dhunës tënde. Pasojë e dhunës tënde 13-vjeçare", tha Berisha. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.
