Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb

“Berisha diskutime me kongresmenë dhe komunitetin shqiptar”, Këlliçi zbardh takimet e kreut të PD në SHBA: Axhenda kulmon me Konventën e Republikanëve ku do flasë Presidenti Trump


Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga New Jersey për televizionin “News24”, nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka zbardhur detajet e mbërritjes së kryedemokratit Sali Berisha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe axhendën e ngjeshur politike që pritet të zhvillohet përgjatë kësaj jave.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga New Jersey për televizionin “News24”, nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka zbardhur detajet e mbërritjes së kryedemokratit Sali Berisha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe axhendën e ngjeshur politike që pritet të zhvillohet përgjatë kësaj jave. Këlliçi bëri me dije se Berisha po shoqërohet nga një delegacion i gjerë përfaqësuesish të opozitës, ndërsa kërkesa e lartë e komunitetit shqiptaro-amerikan ka detyruar organizatorët të ndryshojnë lokacionin e takimit me diasporën për të garantuar kapacitetin maksimal. Takimi me diasporën do të zhvillohet në Venetian Palace (New Jersey), i cilësuar nga Këlliçi si takimi me përmasat më të mëdha që një politikan shqiptar ka mbajtur ndonjëherë në SHBA. Takimet në Teksas do përfshijnë bisedime intensive dyditore të nivelit të lartë me anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Kongresit Amerikan. Sipas tij, pjesëmarrja e Berishës në Konventën e Partisë Republikane më 9 dhe 10 shtator në Dallas, ku folës kryesorë do të jenë Presidenti Donald Trump e Zëvendëspresidenti JD Vance, do të jetë pika kulminante e axhendës së tij. Nënkryetari i PD-së nënvizoi se rikthimi i Berishës në SHBA pas 14 vitesh dhe pas heqjes së pengesave ligjore është një lajm i rëndësishëm jo vetëm për Partinë Demokratike, por për të gjithë opozitën shqiptare.

“Kemi pasur një pritje të jashtëzakonshme në aeroport kur Sali Berisha zbriti pas 14 vitesh në SHBA. Të shpallësh liderin e opozitës me një vendimmarrje korruptive, pa asnjë dokument, fakt apo provë, siç ndodhi me zotin Berisha, nuk duhet t’i ndodhë asnjë force politike!” deklaroi Këlliçi.

Sipas tij, axhenda e menjëhershme përfshin takime me dy kongresmenë nga shtetet e New York-ut dhe New Jersey-t, si dhe një darkë zyrtare mirënjohjeje me komunitetin shqiptaro-amerikan që ka mbështetur kauzën e opozitës në këto 13 vite. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb