Pas më shumë se katër dekadash në burg, pjesën më të madhe të tyre në “death row”, Douglas Stewart Carter është liruar me kusht në Utah, pasi analizat e reja të ADN-së nuk e lidhin atë me provat biologjike të gjetura në vendin e krimit.
Carter, 71 vjeç, ishte dënuar me vdekje në vitin 1985 për vrasjen e Eva Olesen, një gruaje 57-vjeçare nga Provo, Utah. Ai e ka mohuar gjithmonë autorësinë e krimit.
Në kohën e dënimit, nuk kishte prova fizike që e lidhnin Carterin me skenën e krimit. Vendimi ishte mbështetur kryesisht te një rrëfim i firmosur, të cilin Carter pretendon se e kishte dhënë nën presionin e policisë, si dhe te dëshmitë e dy personave.
Vite më vonë, këta dëshmitarë ndryshuan deklarimet e tyre, duke pretenduar se policia i kishte kërcënuar dhe u kishte dhënë para e dhurata për të dëshmuar kundër Carterit.
Në vitin 2025, Gjykata Supreme e Utahut urdhëroi një gjyq të ri, duke konstatuar probleme serioze në mënyrën se si ishte zhvilluar hetimi.
Tani, një analizë e re e ADN-së ka shtuar një tjetër kthesë në çështje. Materiali biologjik i gjetur në dorezën e derës dhe materiali gjenetik në dorezën e thikës së përdorur në vrasje nuk përputhet me Carterin.
Pas këtyre rezultateve, prokurorët kanë hequr dorë nga kërkesa për dënimin me vdekje. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Carter është shpallur përfundimisht i pafajshëm: akuza për vrasje të rëndë mbetet në fuqi dhe ai pritet të përballet me një rigjykim.
Më 28 shtator, gjykatësi Derek Pullan urdhëroi lirimin e tij me kusht. Carter do të mbajë një pajisje monitorimi GPS ndërsa pret vijimin e procesit gjyqësor.
Pas 41 vitesh pas hekurave, Carter doli nga burgu me një dosje të gjatë dokumentesh që lidhen me përpjekjet e tij për të provuar pafajësinë. Ndërkohë, familja e viktimës vazhdon të kundërshtojë lirimin dhe kërkon drejtësi për vrasjen e Eva Olesen./ Burimi:The Guardian

