Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar edhe një herë tjetër për propzimin e Partisë Socialiste për shkrirjen e 15 bashkive. Bardhi ka sjellë në vëmendje deklaratën e deputetes socialiste, Belinda Balluku, njëkohësisht edhe drejtuese politike e kësaj force në Fier, ku vetëm pak muaj më parë deklaronte se nuk do të kishte shkrirje të bashkive në qarkun e Fierit pasi Divjaka dhe Patosi ishin bashki me një performancë të mirë.
“Unë si drejtuese politike e qarkut të Fierit duhet të them që për ne është e rëndësishme që të ruhen sepse dy bashkitë e vogla, në rastin e Patosit janë bashki me përformancë financiare të plotë dhe nuk kanë borxhe ndaj pushtetit vendor. Janë bashki me identitet të fortë dhe nuk mund të shkrihen në bashki të mëdha”, deklaroi Balluku në atë kohë. Bardhi deklaron se vetëm dy muaj më vonë GPS propozon zyrtarisht shkrirjen e dy prej këtyre gjashtë bashkive: Bashkisë Patos dhe Bashkisë Divjakë, kur shkrirja e Bashkisë Divjakë nuk përmbush as kriteret e përcaktuara nga vetë ekspertët e Partisë Socialiste.
Kreu i Grupit të PD akuzon mazhorancën dhe Ballukun se mashtruan dhe nuk mbajtën premtimin që iu dhanë qytetarëve.
Bardhi apelon deputetët socialistë të Fierit të mos votojnë propozimet e PS. “Vetëm dy muaj më parë, më 12 maj 2026, Belinda Balluku dhe deputetët e Partisë Socialiste në qarkun e Fierit u premtuan qytetarëve se do të ruheshin të 6 bashkitë e qarkut, pasi ato kanë performancë të plotë financiare dhe një identitet të fortë institucional e historik, që nuk justifikon përthithjen apo shkrirjen e tyre në bashki më të mëdha.
Vetëm dy muaj më vonë, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste propozon zyrtarisht shkrirjen e dy prej këtyre gjashtë bashkive: Bashkisë Patos dhe Bashkisë Divjakë. Madje, shkrirja e Bashkisë Divjakë nuk përmbush as kriteret e përcaktuara nga vetë ekspertët e Partisë Socialiste.
Faktet flasin qartë: Belinda Balluku dhe deputetët e qarkut të Fierit mashtruan. Ata nuk e mbajtën premtimin që u dhanë qytetarëve. Sot ata heshtin, ndërsa qytetarët, pa dallime partiake, po flasin me zë të lartë dhe po protestojnë kundër këtij propozimi.
Mjafton vota kundër e vetëm dy deputetëve të qarkut të Fierit që reforma për shkrirjen e Bashkisë Patos dhe Bashkisë Divjakë të mos miratohet. Përgjegjësia është e tyre dhe nuk mund t’i shmangen.
Ndryshe nga Partia Socialiste, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike u zotua jo vetëm për ruajtjen e të 6 bashkive ekzistuese, por edhe për të përcjellë zërin e qytetarëve duke propozuar krijimin e bashkive të reja: Ardenicë, Krutje, Dushk, Levan, Cakran dhe Fratar. Ne e mbajtëm fjalën. Propozimi ynë mbron të gjashtë 6 ekzistuese dhe mbështet krijimin e bashkive të reja, sipas kërkesave të qytetarëve të qarkut të Fierit.
Tani është koha që deputetët e qarkut të Fierit të japin llogari dhe të mbajnë premtimin që u bënë qytetarëve. Është koha të votojnë kundër shkrirjes së bashkive të tyre dhe të zgjedhin të përfaqësojnë interesin e qytetarëve, jo urdhrat politikë”, shkruan Bardhi. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

