Lajme Zone
Begaj në Panairin e Librit në Ulqin: Libri duhet të trajtohet si një përparësi kombëtare
PolitikëEuronews Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Begaj në Panairin e Librit në Ulqin: Libri duhet të trajtohet si një përparësi kombëtare

Presidenti, Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit jubilar të 25-të të Panairit të Librit në Ulqin.

Presidenti, Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit jubilar të 25-të të Panairit të Librit në Ulqin. Panairi konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të rajonit dhe mbledh autorë, botues, krijues dhe dashamirës të librit nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera. Ai synon promovimin e librit, gjuhës, dialogut ndërkulturor, si dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet vendeve të rajonit. Presidenti Begaj gjatë fjalës së tij vlerësoi organizatorët për idenë e shndërruar në mision dhe për zgjedhjen e Ulqinit si vend mikpritës të këtij panairi. Duke theksuar rëndësinë e librit në jetën e shoqërisë shqiptare, Kreu i Shtetit u shpreh se historia e vendit tonë ka vlerësuar me të drejtë njerëzit e qëndresës, të sakrificës dhe të trimërisë. “Për shumë kohë, atyre iu desh të mbronin vendin, lirinë, gjuhën dhe të drejtën për të qenë vetvetja. Sot nuk mjafton të jesh vetëm krenar për historinë. Duhet të jesh i përgatitur për të ardhmen. Pikërisht këtu fillon rëndësia e librit. Libri nuk na jep vetëm informacion. Ai na mëson të përqendrohemi, të pyesim e të mos pranojmë çdo gjë të mirëqenë. Na mëson ta dëgjojmë edhe një mendim tjetër dhe të kuptojmë se bota nuk fillon e nuk mbaron me përvojën personale”, tha ai. Duke u ndalur në rolin e pazëvendësueshëm që libri ka për gjuhën shqipe, Presidenti shprehu se libri gjithashtu mban gjallë dhe pasuron gjuhën, traditën, kulturën dhe identitetin tonë shqiptar. “Gjuha nuk ruhet vetëm se e kemi trashëguar. Ajo ruhet kur përdoret mirë, kur shkruhet, kur lexohet dhe kur u përcillet fëmijëve. Ajo pasurohet nga autorët, përkthyesit, mësuesit, studiuesit, gazetarët dhe nga të gjithë ata që punojnë me fjalën”, shtoi ai. Begaj vlerësoi se libri duhet të trajtohet si një përparësi kombëtare. “Libri duhet të trajtohet si një përparësi kombëtare jo vetëm në fjalime dhe në ditët kur hapen panairet, por në mënyrën se si investojmë te bibliotekat, si i përzgjedhim librat për shkollat dhe si mbështesim botuesit, përkthyesit e autorët, si dhe si e afrojmë librin me fëmijët”. Më herët, gjatë ditës, ai u mirëprit në ambientet e Komunës së Ulqinit nga Kryetari i Komunës, Genci Nimanbegu. Gjatë takimit u diskutua mbi sfidat dhe projektet e komunës, vizionin dhe programet zhvillimore, si dhe mbi rëndësinë e rritjes së përfaqësimit të faktorit shqiptar në Mal të Zi. Në vijim të vizitës, Presidenti Begaj zhvilloi edhe një takim me përfaqësues të faktorit politik shqiptar të Ulqinit për të dëshmuar mbështetjen e të gjithë shtetit shqiptar ndaj faktorit politik shqiptar në Malin e Zi dhe të drejtat e tyre.