Ish-futbollisti David Beckham është përfshirë në një betejë ligjore me kompaninë e parfumeve Coty, pasi kompania e tij pretendon se produktet me emrin e tij janë shpërndarë në dyqane me çmime të ulëta dhe në pika karburanti, duke dëmtuar imazhin që ai ka ndërtuar ndër vite.
Padia është ngritur nga DB Ventures, kompania që administron interesat tregtare të Beckhamit. Sipas pretendimeve të saj, Coty ka shpërndarë parfume me vlerë rreth 24 milionë dollarë përmes kanaleve të paautorizuara, përfshirë rrjetin britanik të dyqaneve me çmime të ulëta Poundland.
Përfaqësuesit e Beckhamit pretendojnë gjithashtu se kompania ka raportuar 123 milionë dollarë më pak në shitje, duke i shkaktuar DB Ventures humbjen e rreth 6 milionë dollarëve në pagesat që i takonin. Për këtë arsye, kompania kërkon rreth 41 milionë dollarë dëmshpërblim.
Nga ana tjetër, Coty i ka kundërshtuar akuzat dhe ka kërkuar rrëzimin e padisë. Kompania mohon që parfumet e Beckhamit të jenë shitur ndonjëherë në Poundland dhe pretendon se kjo çështje është një përpjekje për të ndërprerë më herët marrëveshjen mes palëve, në mënyrë që marka të kalojë te një partner tjetër.
Beckham dhe Coty kanë bashkëpunuar për më shumë se një dekadë, gjatë së cilës kompania ka prodhuar dhjetëra parfume me emrin e ish-futbollistit. Megjithatë, marrëdhënia mes tyre është drejt fundit, pasi është njoftuar një marrëveshje e re për licencën e parfumeve me kompaninë Interparfums.
Çështja tashmë është kthyer në një konflikt të hapur mes palëve, ndërsa pretendimet e të dyja kompanive pritet të shqyrtohen në gjykatë.

