Taksa mbi pasuritë e paluajtshme është një e ardhur e rëndësishme për financat e pushtetit vendor. Gjatë vitit 2025, 61 bashkitë e vendit arkëtuan rreth 8.1 miliardë lekë, ose afërsisht 81 milionë euro, nga kjo taksë, duke përbërë 18% të totalit të të ardhurave të veta të pushtetit vendor. Sipas Raportit të Financave Vendore 2025, krahasuar me një vit më parë, të ardhurat nga taksa e pasurisë u rritën me 5 milione euro, ose 6%, duke konfirmuar një prirjen pozitive në mbledhjen e këtij detyrimi. Megjithatë, analiza e të dhënave tregon se kjo rritje nuk është shpërndarë në mënyrë të barabartë mes bashkive, tesksa sistemi vazhdon të dominohet nga kryeqyteti. Nga 81 milionë eurot e arkëtuara në nivel kombëtar, Bashkia Tiranë ka mbledhur rreth 40 milionë, ose 49% të të gjitha të ardhurave nga taksa mbi pasurinë. Kjo do të thotë se vetëm një bashki gjeneron pothuajse aq të ardhura sa 60 bashkitë e tjera së bashku, duke reflektuar përqendrimin e aktivitetit ekonomik, zhvillimit urban dhe vlerës së pronave në kryeqytet. Ndërkohë, gjysma tjetër e të ardhurave ndahet mes të gjitha bashkive të tjera, edhe pse shumë prej tyre kanë përjetuar zhvillim të konsiderueshëm të sektorit të ndërtimit vitet e fundit. Ky hendek tregon se potenciali fiskal i taksës mbi pasurinë nuk po shfrytëzohet njësoj në të gjithë territorin dhe ngre pikëpyetje mbi administrimin e saj në nivel vendor.
