Foto ilustruese/ Në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027, Bashkia e Tiranës është kthyer në mollën e sherrit brenda Partisë Socialiste. Mbi 2 miliardë euro buxhet të përllogaritur për katër vitet e ardhshme, tenderët, lejet e ndërtimit dhe fuqia elektorale e kryeqytetit kanë ndezur betejën mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Përplasja po merr trajtat e një hakmarrjeje të pamëshirshme politike, ku kryeministri synon të izolojë ish-aleatin dhe t'ia shkëpusë një nga një njerëzit që i kanë mbetur besnikë. Transferimi i Veliajt nga Durrësi në Fier dhe kushtet çnjerëzore të izolimit e kanë ashpërsuar këtë luftë. Përgjegjësia rëndon mbi Ramën, ndërsa në administratën socialiste mesazhi është i ftohtë: kush vazhdon të ndjekë linjën e “Lalit”, rrezikon të ketë fatin e tij.
Në Partinë Socialiste ka nisur përleshja për thelën më të majme të pushtetit. Ujqërit që për vite kanë ngrënë në të njëjtën sofër, tashmë po i tregojnë dhëmbët njëri-tjetrit. Në mes është Bashkia e Tiranës, institucioni që administron qindra milionë euro, tenderë, prona, taksa ndërtimi dhe një makineri të fuqishme elektorale.
Edi Rama dhe Erion Veliaj, dikur aleatë në sundimin politik të kryeqytetit, sot janë përfshirë në një luftë të egër për kontrollin e Bashkisë, ku pas shkarkimeve dhe emërimeve qëndrojnë interesa financiare, pazare politike dhe një pushtet që ushqen prej vitesh klientelizmin dhe dyshimet për korrupsion.
Rama duket i vendosur ta nxjerrë përfundimisht Veliajn nga loja politike. Hakmarrja ndaj ish-aleatit po merr formën e një izolimi të egër, që synon t'i shkulë edhe rrënjët e fundit të ndikimit brenda Partisë Socialiste, përpara se të nisë fushata për Tiranën.
Veliaj, megjithëse në paraburgim prej shkurtit 2025, vazhdon të luftojë për administratën që drejtoi për më shumë se një dekadë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që rrëzoi shkarkimin e tij nga qeveria, ia ka lënë në dorë kompetencat e kryebashkiakut.
Lufta ka zbritur te njerëzit konkretë. Pas largimit të Anuela Ristanit dhe rikthimit të Alban Dokushit si sekretar i përgjithshëm, Veliaj riktheu në pozicionet e nënkryetarëve Sara Goxhajn dhe Sadi Vorpsin. Ditën e sotme shkarkoi Vasilika Vjeron dhe Ilir Mëngrën, duke emëruar Etleva Bishën, një bashkëpunëtore të hershme të tij.
Nga qelia, “Lali” po përpiqet të mbajë çelësat e Bashkisë, ndërsa për Ramën çdo zyrë që mbetet nën ndikimin e ish-aleatit përbën një problem serioz.
Goditja më e rëndë për Veliajn ka ardhur jashtë zyrave të Bashkisë. Më 28 tetor, ai u transferua papritur nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit, pa kërkesën e tij dhe pa iu bërë të njohura arsyet konkrete të vendimit. Urdhri u mbulua me vulën e sekretit shtetëror, ndërsa kryebashkiaku e cilësoi zhvendosjen si një transferim politik dhe rrëmbim policor.
Transferimi i Erion Veliajt nga Durrësi në Fier dhe izolimi në kushtet e rënda që ai ka denoncuar mbajnë mbi vete hijen e hakmarrjes politike.
Kush në Drejtorinë e Burgjeve do të guxonte të urdhëronte transferimin dhe izolimin e Veliajt në Fier? Akuza politike ka vetëm një adresë; Edi Ramën, të vetmin që mund të japë një urdhër të tillë. Drejtoria e Burgjeve shihet si instrumenti i zbatimit. Kush flet për “përplasje klanesh”, po kërkon ta largojë vëmendjen nga lufta frontale që Rama i ka hapur ish-aleatit të tij.
A është izolimi në Fier pjesë e përpjekjes për ta thyer Veliajn, përpara se t'i shkëputen përfundimisht njerëzit dhe pushteti në Bashkinë e Tiranës?
Në këtë klimë, izolimi në Fier merr edhe një kuptim tjetër politik. I shkëputur nga administrata që kërkon të kontrollojë dhe i përfshirë në një betejë për mbijetesë, Veliaj përballet edhe me dobësimin e ndikimit të tij në prag të fushatës. Për Ramën, largimi politik i “Lalit” do të nënkuptonte edhe mbylljen e një qendre rivale pushteti brenda PS-së së Tiranës.
Arsyeja e përleshjes lexohet edhe në shifrat. Buxheti i rishikuar i Tiranës për vitin 2026 arrin në rreth 520 milionë euro. Nëse ky nivel ruhet gjatë mandatit katërvjeçar 2027-2031, bëhet fjalë për afro 2 miliardë euro që do të administrohen nga Bashkia. Vetëm gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, Bashkia ka arkëtuar rreth 198,5 milionë euro nga taksa e ndikimit në infrastrukturë prej ndërtimeve të reja.
Shifra marramendëse, që shpjegojnë peshën e interesave ekonomike rreth institucionit. Kullat, kompanitë e ndërtimit, kontratat publike dhe projektet e mëdha e kanë kthyer kryeqytetin në një sofër të lakmuar nga grabitqarët e pushtetit. Aty ku qarkullojnë miliardat, hijet e korrupsionit, hajdutërisë së fondeve dhe pazareve me oligarkët rëndojnë mbi çdo betejë për kontrollin e firmës.
Një pjesë e lejeve të mëdha kalojnë përmes KKT, të drejtuar nga Rama, ndërsa Bashkia administron kompetencat vendore, taksat dhe shërbimet. Janë dy qendra vendimmarrjeje me peshë të jashtëzakonshme për bizneset e ndërtimit dhe interesat që qarkullojnë rreth betonizimit të Tiranës.
Mbi të gjitha, në lojë është edhe një pasuri që nuk figuron në bilancet financiare: rrjeti elektoral i kryeqytetit, administratorët, drejtorët dhe strukturat që Veliaj ka kultivuar ndër vite.
Për socialistët dilema është brutale; të qëndrojnë me Veliajn apo të shpëtojnë karrierën duke u rreshtuar pas Ramës? Në këtë klimë, besnikëria ndaj “Lalit” rrezikon të kthehet në faturën më të shtrenjtë politike. Kush mbetet në kampin e gabuar, mund të përfjë i flakur në burg, larg tenderëve, privilegjeve dhe sofrës ku janë ndarë interesat për vite me radhë.
Edhe brenda grupit parlamentar socialist transferimi në Fier ka shkaktuar tensione. Bledi Çuçi dhe Fatmir Xhafaj kërkuan shpjegime, ndërsa ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, njoftoi nisjen e një inspektimi. Miqësia e dikurshme Rama-Veliaj është shndërruar në një përleshje ku karriera politike por edhe vetë Veliaj po vihet në rrezik nga çdo lëvizje e pushtetit.
Ujqërit e PS-së e dinë mirë peshën e kësaj thele. Rama kërkon të hyjë në fushatën e vitit 2027 pa hijen e “Lalit” mbi kryeqytet, ndërsa Veliaj lufton të mos varroset politikisht nga njerëzit me të cilët ndau pushtetin. /Pamfletibashkia tiranë rama veliaj zgjedhje 2027 2 Komente T Tony 30 Tetor 2026, 17:05 Kjo pune zgjithet kollaj fare. Populli te vere nje nga Lidhja Studentore ose nje profesor model dhe ja da da u zgjidh problemi. Me duket se ne kete corbe i fusin hundet tere zagaret faqezinj te mediave e partive politike, mafioze e kriminele qe te mbajne pushtetin qe kane qe to mos u laget bytha neper qeli. Përgjigjjuni o ou 30 Tetor 2026, 17:23 kush tha se ka zgjedhje ? Përgjigjjuni Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Dosja e zezë Nga inceneratori i Tiranës te Rruga e Arbrit, koncesionet do të gllabërojnë miliarda edhe gjatë 2027-ës 29 Tetor 2026, 18:3318:33Dosja e zezë Parlamenti ose “Kupa me kapak, kupa pa kapak” 29 Tetor 2026, 14:2214:22Dosja e zezë Universiteti i Shkodrës në krizë morale, kush e mbron Adrian Lekën pas skandalit të 22 mijë eurove? 29 Tetor 2026, 10:4210:42Dosja e zezë Dy fosilet politike në unison për të çimentuar status quo-në!! 28 Tetor 2026, 15:4415:44Dosja e zezë “Republika” e Skënder Gjinushit mbi ligjin: 110 studiues peng i dy vendimeve të Akademisë së Shkencave 28 Tetor 2026, 14:0114:01Dosja e zezë Inceneratori që mori miliona, por nuk zhduku dot plehrat: Elbasani mbi një bombë mjedisore 27 Tetor 2026, 16:5716:57Dosja e zezë

