Banorët e Selenicës kanë dalë në protestë kundër draftit të Reformës së re Territoriale, duke kundërshtuar planin për shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me Bashkinë Vlorë. Ata shprehen se një vendim i tillë do të rëndonte jetën e përditshme të qytetarëve, pasi për çdo shërbim administrativ do të detyroheshin të udhëtonin drejt Vlorës.
Sipas protestuesve, Selenica nuk duhet të humbasë statusin e bashkisë, pasi përfshin 47 fshatra dhe mijëra banorë. Ata theksojnë se largimi i institucioneve vendore do të vështirësonte aksesin në shërbime publike dhe do të përshpejtonte braktisjen e zonës, duke cenuar zhvillimin ekonomik dhe social të komunitetit.
Gjatë protestës nuk munguan edhe gjestet simbolike. Një prej banorëve dorëzoi kartën e anëtarësisë së Partisë Socialiste, duke deklaruar publikisht kundërshtimin e tij ndaj projektit për shkrirjen e bashkisë. Protestuesit i bënë thirrje qeverisë të rishqyrtojë draftin dhe të marrë në konsideratë qëndrimin e banorëve përpara miratimit të reformës.

