Reforma e re territoriale e propozuar nga Partia Socialiste, që parashikon shkrirjen dhe bashkimin e disa bashkive, ka sjellë kundërshtime edhe në Prrenjas. Dëgjesa publike për riorganizimin e njësive të qeverisjes vendore u shoqërua me debate dhe përplasje mes banorëve dhe përfaqësuesve politikë. Situata u tensionua gjatë përplasjes mes socialistit Ardit Facja dhe deputetit të PS-së, Olsi Komici. Facja kundërshtoi bashkimin e Prrenjasit me Librazhdin, ndërsa qëndrimi i tij u mbështet edhe nga qytetarë të pranishëm në sallë. “Jeni mësuar të bëni ça të doni, por ta harroni”, deklaroi Facja.
Banorët e Prrenjasit shprehën shqetësimin se bashkimi me Librazhdin do të sillte largimin e shërbimeve publike nga qytetarët dhe do ta vështirësonte aksesin e tyre në institucionet vendore. Sipas tyre, edhe distanca gjeografike mes dy qyteteve do të rriste kostot dhe shpenzimet për banorët. Gjatë dëgjesës, qytetarët kërkuan përgjigje dhe llogaridhënie nga deputeti Olsi Komici për qëndrimin e tij ndaj Reformës Territoriale.
Në vijim të debatit, disa prej banorëve deklaruan se deputeti nuk i ka përfaqësuar siç duhet interesat e zonës në Kuvend. Ata ngritën gjithashtu shqetësime për pasojat që, sipas tyre, ka sjellë Reforma Territoriale e vitit 2014 në decentralizimin dhe ofrimin e shërbimeve publike. Dëgjesat publike pritet të vijojnë, ndërsa kundërshtimet e banorëve mbeten të fokusuara te ruajtja e shërbimeve dhe administrimit sa më pranë komunitetit.

