Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi në mbledhjen e 2 shtatorit Deklaratën dhe Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026. Këshilli Mbikëqyrës miratoi gjithashtu ndryshime që detyrojnë bankat dhe ofruesit e shërbimeve të pagesave t’i informojnë paraprakisht klientët për tarifat e këmbimit valutor në pagesat me kartë, në bankomatet ATM, në terminalet POS dhe në transfertat online. Tarifat duhet të paraqiten edhe si shtesë mbi kursin e Bankës së Shqipërisë, ndërsa klientëve duhet t’u dërgohen njoftimet përkatëse elektronike. “Ndryshimet lidhen kryesisht me shtimin e disa kërkesave për rritjen e transparencës së tarifave të këmbimit valutor kundrejt Lekut në transaksionet me kartë (POS, ATM), transfertat e kreditit (online), si dhe të disa masave për lehtësimin e automatizimit të pagesave. Kërkesat e reja përcaktojnë detyrimin për informim të qartë dhe paraprak të paguesit mbi tarifat e këmbimit valutor për transaksionet me kartë në ATM ose POS, duke përfshirë edhe paraqitjen e tyre si mark-up mbi kursin e Bankës së Shqipërisë, publikimin e këtij informacioni dhe dërgimin e njoftimeve elektronike përkatëse te paguesi. Gjithashtu, parashikohet detyrimi i ofruesit të shërbimeve të pagesave për të informuar qartë dhe në mënyrë të plotë paguesin, para inicimit të transfertës së kreditit online, mbi tarifat e këmbimit të monedhës dhe shumën totale të transfertës, përfshirë tarifat përkatëse”, thuhet në njoftimin e Këshllit. U miratuan edhe ndryshime që heqin kërkesën për paraqitjen e dokumenteve të posaçme justifikuese për transfertat korrente ndërmjet rezidentëve dhe jorezidentëve, duke lehtësuar procedurat për qytetarët dhe bizneset. Banka thekson se detyrimet ligjore për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit do të vijojnë të zbatohen. Banka vlerëson se veprimtaria e sistemit financiar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme, ndërsa sektori bankar vijoi zgjerimin me ritme të mira, i mbështetur kryesisht nga rritja e depozitave. Sipas raportit, depozitat u orientuan kryesisht drejt kreditimit dhe investimeve në tituj, ndërsa rezultati financiar i sektorit bankar mbeti pozitiv, por ishte më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishme dhe lidhen kryesisht me pasigurinë e lartë që paraqesin aktualisht zhvillimet ndërkombëtare, të përcaktuara nga konfliktet gjeopolitike dhe tensionet tregtare”, deklaroi Banka e Shqipërisë. Institucioni vëren gjithashtu rritje të presioneve inflacioniste, megjithëse norma e inflacionit mbetet pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Sipas raportit, rreziqet që burojnë nga lidhjet ndërmjet sektorit bankar dhe segmenteve të tjera të sistemit financiar, si edhe nga veprimtaria e vetë bankave, vlerësohen në nivele të kontrolluara. “Treguesit e rezistencës financiare dhe ushtrimet e provës së rezistencës tregojnë se sektori bankar është i qëndrueshëm ndaj rreziqeve të identifikuara”, theksohet në deklaratë. Banka rekomandon forcimin e sistemeve për parandalimin dhe administrimin e rreziqeve, si edhe ruajtjen e niveleve të përshtatshme të kapitalizimit të veprimtarisë bankare. Zhvillimet ekonomike gjatë gjashtëmujorit të parë vlerësohen pozitive, të mbështetura nga konsumi, investimet dhe ecuria e qëndrueshme e sektorit të turizmit. Rritja ekonomike u shoqërua me shtim të punësimit dhe pagave, ndërsa pesha e borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto vijoi të ulej.
