Lajme Zone
Balla: Mos e përsërisni historinë e bojkotit, reforma territoriale është për shërbime më të mira
PolitikëEuronews Albania

Balla: Mos e përsërisni historinë e bojkotit, reforma territoriale është për shërbime më të mira

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i është përgjigjur opozitës gjatë debatit për reformën e re administrativo-territoriale, duke e vendosur theksin te mënyra se si do t’u ofrohen shërbimet qytetarëve dhe jo te gara për drejtimin e bashkive.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i është përgjigjur opozitës gjatë debatit për reformën e re administrativo-territoriale, duke e vendosur theksin te mënyra se si do t’u ofrohen shërbimet qytetarëve dhe jo te gara për drejtimin e bashkive. Balla tha se kjo është një nga diferencat kryesore mes socialistëve dhe opozitës, ndërsa paralajmëroi Partinë Demokratike që të mos rikthehet te bojkoti i Kuvendit. “Herën e fundit që e kam dëgjuar shprehjen që nuk qëndrojmë më në këtë sallë me ju ka qenë diku në fillim të 2019. Historia që pasoi dihet: PD iku nga Kuvendi, zgjedhjet dhe pastaj fundi dihet. Uroj shumë, miqësisht, që mos ta merrni këtë vendim. Megjithatë, zgjedhjet janë tuajat”, deklaroi Balla. Duke iu referuar reformës së vitit 2014, kreu i grupit socialist tha se edhe atëherë opozita kishte zgjedhur bojkotin, ndërsa sipas tij ndryshimet sollën rritje të të ardhurave për banor dhe ulje të detyrimeve të bashkive. “Rezultatet janë tejet pozitive sepse të ardhurat për çdo banor u 4-fishuan, ndërsa borxhet dhe detyrimet u ulën me ¾”, tha ai. Balla argumentoi se objektivi i mazhorancës me hartën e re nuk është përcaktimi i emrit të kryetarëve të bashkive, por përmirësimi i shërbimeve. “Nëse ju e keni merakun se kush do të jetë kryetari i bashkisë, për ne është si do t’i shërbehet bashkisë. Për ne bashkimi sjell shërbime më të mira për të gjitha komunitetet që ato jetojnë”, u shpreh Balla. Ai ironizoi edhe protestën e paralajmëruar nga opozita për të enjten kundër reformës territoriale. “Ej shyqyr që u kthye PD te protestat, është lajm i mirë. Është lajm pozitiv sepse protesta arriti një sukses të madh: çliroi bulevardin nga një ritual i përditshëm të hënave pasdite”, tha Balla. Në vijim, ai ftoi opozitën të përdorë platformën “Pasqyra e Flamingos” për të parë dokumentet zyrtare lidhur me çështjen e Sazan-Zvërnecit dhe çështje të tjera. “Keni mundësinë e artë që edhe sot, edhe ju të hyni në këtë platformë dhe të aksesoni dokumentet e vërteta zyrtare e jo ato që shpikni”, deklaroi kreu i grupit socialist. Balla u ndal edhe te reforma zgjedhore, duke kërkuar bashkëpunimin e opozitës dhe duke rikujtuar se afati i komisionit përkatës përfn në fund të nëntorit. “S’duam të kemi reformë zgjedhore pa ju, por harrojeni që mund të bllokoni përmbushjen e detyrimeve”, u shpreh ai. Duke iu referuar procesit të integrimit europian, Balla tha se Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm dhe kërkoi që opozita të luajë rolin e saj në këtë proces. Në fund të fjalës së tij, ai komentoi edhe zhvillimet lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe ish-krerët e UÇK-së në Hagë. Balla kërkoi që çështja e Kosovës të mos shndërrohet në përplasje politike të brendshme. “Koha për të bërë deklarata populiste apo kërkesa për interpelanca populiste, ju ftoj t’i tërhiqni. Sot më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për mbështetje nga Shqipëria e zë të përbashkët”, tha Balla.