Lajme Zone
Azem Hajdari
PolitikëCNA

Azem Hajdari

Si sot 27 vjet është vrarë Azem Hajdari. Në një natë të zy...

Si sot 27 vjet është vrarë Azem Hajdari. Në një natë të zymtë me shi e vetëtima, pranë Selisë së PD-së (afër Hotel Plaza sot) u masakrua me plumba në një atentat të paralajmëruar.

Nuk kam shkruar asnjëherë për Azemin. Sepse njerëzit që kanë qenë në atë atentat janë lidhje fisnore e imja, ndaj hezitoja.Por sot, duke qenë se kanë kaluar kaq vite dhe gjërat janë më të qeta, vendosa t’i shkruaj dy fjalë për të.

Azemi ishte 5-6 vjet më i madh se unë, e kam njohur qysh në vegjëli. Ishte i potershëm, nga ata që nuk linin dy gurë bashkë. Spikaste kudo, në lagje, në shëtitore, në shkollë.

Shpirti i protagonistit e bënte të dilte në pah. Gjatë adoleshencës dhe rinisë së hershme nuk u shmangej zënkave. Me një fjalë ishte çakmak djalë.

Prindërit, për ta shtruar, e çuan në një shkollë profesionale në Tiranë. Ishte një shkollë për Galanter – një zanat që nuk e kishte tjetër njeri në qytet. Bënte rripa, çanta, xhupa, sandale.

Por ajo që bëri më shumë bujë aso kohe ishte se Azemi u kthye 17-18 vjeçar nga Tirana bashkë me një vajzë të bukur, Fatmirën nga Librazhdi. Ishin moshatarë mesa mbaj mend. Dhe shkonin bashkë.

Nuk ishte normale për kohën por Azemi ishte Azem…

U martuan!

Aso kohe nuk kisha muhabet me të. Njiheshim sepse një grusht njerëz ishte qyteti, dilnin të gjithë në xhiro. Azemi u bë shpejt me fëmijë, në fillim Kiri e pastaj Rudina. Apo e kundërta? Nuk e mbaj mend mire.

Punonte shumë, fitonte mirë. Galanteria e tij ishte në mes të qytetit, kishte shumë fluks pune. Azemi ishte shtruar nga puna por në shpirt kishte mbetur ai i mëparshmi. Ndërtoi një shtëpi private të madhe në oborr të së cilës kishte një qershi.

Jeta po i vinte mbroth.

Filloi shkollën e natës. Aso kohe kishte jo pak nxënës që punonin ditën dhe bënin shkollën e natës pas orës 4 a 5 pasdite.

Shumica e tyre e bënin kot, sa për të thënë. Ndërsa Azemi jo, e kishte një plan. Askush nuk e besonte fillimisht se jeta e tij do të dilte jashtë atij qyteti dhe Galanterisë së tij të famshme.

Gjatë Kampionateve Evropiane apo Botërore të Futbollit, Azemi ishte kryefjalë. Vinte baste, organizonte shikime kolektive të ndeshjeve dhe spikaste me diskutimet e furishme dhe batutat pas tyre. Azemi nuk të linte indiferent, ishte jashtëzakonisht ndikues.

****

Unë e njoha nga afër diku nga viti '87. Ishim të dy në maturë, ai natën, unë ditën. Për arsye të parëndësishme për tu përmednur këtu, u afruam shumë, më mbante afër si vëlla të vogël. Më merrte në darka te Turizmi, më qeraste, më ftonte në shtëpi. Aso kohe kisha probleme komunikimi me tim atë dhe për disa ditë ika nga shtëpia ime. Shkova te shtëpia e Azemit.

Kjo ishte periudha kur u bëmë më të afërt. Më pyeste për vajzat, flirtet, historitë. Më inkurajonte të flisja. Ishte periudhë e çuditshme.

Im atë nuk e donte Azemin. Nuk i pëlqente poterja e tij, protagonizmi. Donte vëllain tjetër të Azemit, Saliun. Me të i piqeshin pipzat.

Një ditë shkuam bashkë me Azemin në mëngjes te një lokal i sapohapur. Ishte mëngjes, kisha disa ditë që nuk shkoja në shtëpi, rrija te Azemi. Babi e dinte, dikush i kishte thënë.

U ndodhëm përballë me babin. U shtanga fillimisht. Azemi i dha dorën, u përshëndet dhe vazhdoi. Unë mbeta i shtangur:

“Po pse nuk vjen te shtëpia jote” – ishte thelbi i asaj që tha im atë. Sigurisht me tonalitet dhe fjalë gjithë rropamë.

-“Nuk dua” – ia prita me të njëjtin ton. Dhe vazhdova.

Kur u futëm brenda Azemi më pyeti:

- “Si shkoi”?

I tregova. Heshti. Më tha:

-“Ermal, duhet të shkosh në shtëpi. Isaja (babai) është baba jot”.

U mendova gjatë. Mendova se mos e kam bezdisur Azemin duke ndenjur te shtëpia e tij por më vonë jam bindur për të kundërtën.

U ndava prej tij dhe shkova në shtëpi. Ishin ditët e Kampionatit Evropian të 88’-ës. Të dy po pregatiteshim të vinim në Tiranë, në shkollë të lartë.

Gjatë asaj kohe e pyesja shpesh Azemin. Pse i hyre shkollës së natës, ti e kishe shkollën profesionale dhe punën shumë të mirë dhe fitimprurëse. Më dha një përgjigje që e kam kujtuar gjithë jetën:

-“Unë nëse do të jetoj në Tropojë do të jem të paktën Gjykatës ose Prokuror”.

Azemi nuk kënaqej, ishte ambicioz i madh. Donte të studionte Drejtësi me çdo kusht. Megjithëse ishte 25 vjeç me familje dhe me dy fëmijë.

Vera e atij viti ishte shumë e paharrueshme. Na doli të dyve e drejta e studimit, mua në Ekonomi, Azemit në Filozofi. Ishte mërzitur sepse donte me çdo kusht Drejtësi. Por, në gjithë rrethin tonë kishte ardhë vetëm një e drejtë studimi për drejtësi dhe atë e kishte marrë një nxënëse absolute me mesatare 10, Vjollca.

Rrinim pothuaj çdo natë te lulishtja e Turizmit, pinim birra deri në orët e vona të natës. Mund të kenë qenë netët më të lumtura të jetës sime. Kur kthehesha në 12 a një të natës kaloja edhe njëherë nga listat e afishuara të të drejtave të studimit. Nuk ngopesha duke parë emrin tim. Nata ishte tmerrësisht e gjatë, doja veç ditë dhe biseda, mbrëmje dhe darka….

Kur erdhëm në shkollë të lartë u ndamë. Unë shkova te Godina 13, ai te 19-a. Më kërkoi të shkoja edhe unë atje, kishte një dhomë vetëm me një djalë nga Kruma. Ja kam harruar emrin tani. Zakonisht dhomat kishin 4 studentë, me dy ishte luks. Por unë refuzova, doja të rrija te studentët e Ekonomikut. Këtu edhe u ndamë. Pak qejfprishur.

Jeta vazhdoi, shndëroheshim vazhdimisht rrugicave të Qytetit Studenti. Azemi spikaste sepse ishte më i madh, vishej edhe bukur, kishte para. Ndonjëherë uleshim bashkë, më pyeste për shkollën, shokët e rinj, formalitete. Ishte temperament.

Kur ndodhi Dhjetori '90 u pamë qysh të nesërmen e demonstratës së parë. Azemi do ishte në krye, ai e kishte protagonizmin në gjak. Kishte edhe batutën. Nuk shquhej për ndonjë fjalor të pasur por dinte të të bënte vete. Kishte intuitën brilante, guximin e pashoq dhe karizmën – tri cilësi të domosdoshme për ato momente. U imponua menjëherë. Xhupi i zi i lëkurës u bë simboli i asaj lëvizjeje. Pas pak kohe të gjithë e njihnin dhe e kërkonin Azemin me sy. Edhe emri ishte i veçantë.

Kohët kalonin shpejt, fluturonin. Një ditë i shkova ta takoja. Gjasme për qejf por krejt qëllimi ishte të më ndihmonte që të filloja punë në Tiranë. Ishte viti 92, PD sapo kishte marrë pushtetin, unë sapo mbaroja shkollën. Ishte një takim i ftohtë. Më pyeti për gjëra formale, edhe unë nuk dija ç’ti thoja. Duhet ta ketë ditë se për çfarë kisha shkuar por me shumë mundësi ishte një bezdisje për të. U ndamë, më përqafoi.

-“Je djalë i mirë ti” – më tha si ngushëllim.

U mërzita. Por kurrë nuk e hodha poshtë. Unë e njihja, ai ishte Azemi. Kishte të tjera preokupime tani. Më duhej të pranoja parëndësinë time. Mu krijua një boshllëk në shpirt.

Takoheshim vazhdimisht edhe më vonë. Unë fillova punë pikërisht në Qytetin Studenti me ndihmën e mikut tim Gjin Progni. Gjini ishte miku i Azemit, vinte shpeshherë te ndërmarrja jonë. Sa herë takoheshim përqafoheshim me gjasme mall.Por kisha përshtypjen se më ruhej, nuk donte të më takonte.

Për herë të fundit e kam takuar në Shtator 1996, bëhej Miss Evropa. Erdhi dhe më kërkoi te Pallati i Kongreseve.

-“ Më gjej një biletë” – më tha

U gëzova.

-“Patjetër” - i thashë. I dhshë një nga më të mirat dhe i thashë:

-“E ke prej meje”- (pra pa pagesë).

Por nuk pranoi kurrsesi. Më futi në xhep me zor një shifër ndoshta dyfishin e çmimit dhe iku.

Erdhi 97-a e pas saj 98-a. Kohë të tmerrshme. Ngajrje të rënda, vrasje, grabitje, përdhunime. Lajmet nga Tropoja ishin tronditëse. Çfarë po ndodhte atje nuk na linte aspak indiferentë. Jemi pak njerëz shumica kushërinj e krushqi.

Unë nuk isha i përfshirë në politikë pothuajse fare. Kisha një mikun tim të afërt që merrej me Televizionin e PD-së së asaj kohe dhe, prej tij, shkoja ndonjëherë te Noeli, lokali i famshëm te pedonalja e sotme. Rrinim gjatë.

Një pasdite vere, pak para se të ndodhte atentati ndaj Azemit (kishte ndodhë tentativa e vrasjes në Tropojë) kaluam përpara oborrit të PD-së. Po bisedoja pa e pasë shumë mendjen. Befas kthej kokën djathtas dhe shoh jo larg meje, një grup njerëzish që po pinin kafe. Në qendër të tyre ishte Azemi që mi kishte ngulur sytë sikur po më përpinte. Mbeta si fillim.

E dija që diçka ziente por e shihja veten krejt jashtë asaj historie. Buzëqesha pak i ngurtë dhe ia bëra me dorë. Një përshëndetje hezituese. Mu duk se desh të çohej të më fliste por unë e shmanga shikimin. Kisha edhe njëfarë qejfmbetjeje….

Pa kaluar dy javë nga kjo përshëndetje, e vranë.Kam qarë për të si për një mik të afërt. Mu dhimbs në shpirt. Shkova natën e 12 Shtatorit në oborrin e PD-së, në atë oborr që ndodhi ai shkëmbimi i fundit. Saimir Kumbaro ishte me kamera dhe më filmoi. Shkova edhe të nesërmen në homazhe te Pallati i Kulturës. Mu duk sikur lexova një ftohtësi mes atyre që përshëndosha dhe u pendova. Nuk shkova në varrim.

Azemi ishte një djalë i guximshëm, intuitiv dhe pragmatist. Ai kishte lindur për të qenë dikushi dhe hyri në histori si njeriu simbol i Lëvizjes më të madhe që ka njohur Shqipëria në këto vite. Për mua ishte një mik i afërt i kohërave të mia më të bukura.

Nuk ia hoqa dhimbtën kurrë. Edhe kur ishim fort larg.

Dy vite më vonë jam takuar me Fatmirën, gruan e tij, në Hotel Rogner. Ishte një përvjetor i Shijak TV, qokë. Bashkë me Fatmirën ishte edhe djali i vogël, Azemi i ri. U përshëndetëm me përzemërsi, e mora Azemin e vogël në krahë dhe e bëra një fotografi me të. E kam diku atë foto.

I shkruajta këto fjalë për ta sjellë Azemin në një dimension më njerëzor, më të vërtetë. U përpoqa të mos ia ha hakun por as mos ta glorifikoj me patetizma.

Azemi ishte shok i mire dhe unë do ta kujtoj gjithmonë për mirë. Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.