Lajme Zone
“Avulli është më i mirë”/ Trump urdhër Pentagonit, i kërkon ridizenjimin e aeroplanmbajtëses amerikane
BotëTop Channel

“Avulli është më i mirë”/ Trump urdhër Pentagonit, i kërkon ridizenjimin e aeroplanmbajtëses amerikane

Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar Pentagonin të ridizenjojë një aeroplanmbajtëse të re amerikane, duke zëvendësuar sistemin modern elektromagnetik të lëshimit të avionëve me teknologjinë tradicionale me avull.

Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar Pentagonin të ridizenjojë një aeroplanmbajtëse të re amerikane, duke zëvendësuar sistemin modern elektromagnetik të lëshimit të avionëve me teknologjinë tradicionale me avull. Trump nënshkroi të enjten një memorandum për sigurinë kombëtare, përmes të cilit i kërkon sekretarit të Luftës, Pete Hegseth, dhe sekretarit në detyrë të Marinës, Hung Cao, të hartojnë brenda 60 ditësh një plan për ndryshimin e sistemeve në USS Doris Miller, një aeroplanmbajtëse e klasës Ford, shkruan Guardian.

Sipas urdhrit, sistemi EMALS dhe ashensorët modernë të avancuar të armëve duhet të zëvendësohen me sisteme me avull dhe hidraulike.

Vendimi rikthen në vëmendje një prej kritikave të përsëritura të Trump ndaj teknologjisë moderne të aeroplanmbajtëseve amerikane. Presidenti ka folur për vite me radhë kundër katapultave elektromagnetike, duke argumentuar se sistemet me avull janë më të thjeshta, më të lira dhe më të lehta për t’u riparuar.

Trump e kishte shprehur këtë qëndrim që në vitin 2017 dhe, sipas raportimeve, e ka përsëritur historinë në fjalime dhe dalje publike pothuajse çdo vit që atëherë.

Vendimi nuk është pritur mirë nga disa drejtues të Marinës amerikane dhe industrisë së mbrojtjes, të cilët kanë paralajmëruar për kosto të larta dhe vonesa të mëtejshme.

USS Doris Miller është tashmë rreth dy vite pas afatit të parashikuar dhe ndryshimi i një sistemi që është integruar në projektimin e anijes mund të sjellë probleme të konsiderueshme teknike dhe financiare.

General Atomics, kompania që prodhon sistemin elektromagnetik për aeroplanmbajtëset e klasës Ford, ka deklaruar se vendimi duhet të rishikohet me kujdes. Kompania tha se puna për anijen e re ka avancuar në rreth 50% dhe se ndryshimi në këtë fazë do të sillte rreziqe të konsiderueshme për koston, afatet dhe integrimin e sistemeve.

Trump, megjithatë, ka këmbëngulur se teknologjia me avull është më e përshtatshme.

Në një prej deklaratave të tij të fundit, Trump tregoi një bisedë që pretendon se ka zhvilluar me një specialist të katapultave në një aeroplanmbajtëse amerikane.

Sipas Trump, kur e pyeti nëse sistemi elektrik apo ai me avull ishte më i mirë, përgjigjja ishte se “avulli është më i mirë”, pasi mund të riparohet më lehtë.

Qëndrimi i presidentit ka hasur edhe kundërshtime të forta. Senatori demokrat Mark Kelly, ish-astronaut dhe pilot testues, kritikoi publikisht ndërhyrjen e Trump në projektimin teknik të anijeve të Marinës.

Ndërkohë, urdhri për ndryshimin e teknologjisë vjen në një periudhë kur Marina amerikane po përballet edhe me sfida të tjera, përfshirë raportimet për probleme të shëndetit mendor dhe lodhje të ekuipazhit në bordin e USS Abraham Lincoln, e cila ka kaluar një periudhë të gjatë në det gjatë angazhimeve të lidhura me luftën me Iranin. Top Channel