Avokati, Meshar Selimaj në një lidhje live me gazetaren e Euronews Albania, Esmeralda Mulaj ka folur lidhur me vendimin e Gjykatës së Hagës e cila dënoi me 81 vite burg ish-krerët e UÇK-së. Gjatë fjalës së tij, Selimaj u shpreh se mënyra se si u formulua vendimi nga trupi gjykues lë të kuptohet se prokuroria mund të ndërmarrë hapa të tjerë në të ardhmen, ndërsa theksoi se procesi ka pasur për qëllim denigrimin e luftës çlirimtare. Selimaj u shpreh se Dhomat e Specializuara kanë ndryshueshmëri të vazhdueshme edhe të aplikimit të standardeve të gjykimit në procedurë penale, por edhe në aplikimin e dënimit. Sipas tij Gjykata e Hagës po i nxjerr vetë ligjet dhe se i tejkalon proceset ligjore të Kosovës. “Unë e kam thënë edhe ditën kur ka ndodhur shpallja, mos është një mesazh ogurzi nga ai gjyqtar i cili po paralajmëron marrjen e veprimeve të mëtejshme të kësaj prokurorie. Pra paraprakisht ndoshta ka informacione dhe po e di se çfarë do të zhvillohet në vazhdim. Pra ata nuk do të ndalen me aq. Veprimet në vazhdim të kësaj gjykate e kanë pasur prej fillimit, në vazhdim edhe tutje, një qëllim: denigrimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftës së saj përmes dënimeve dhe sulmeve që i bëhen në korniza ligjore ndaj ish-eprorëve të tyre. Tash për tash është problematike se si do të vazhdojë tutje zhvillimi i kësaj procedure. Nuk ka besim. Mosbesimi në fakt në këtë gjykatë është shumë më i thellë sepse dënimet janë të ashpra dhe në kundërshtim të plotë edhe me parimin e legalitetit. Ne e kemi thënë edhe më herët, e kemi përsëritur se Kodi Penal i Jugosllavisë, i cili ka qenë për kohën kur pretendohet që janë kryer këto vepra penale, maksimumin e dënimit e ka pasur gjer në 15 vite burgim. Këta i kanë ligjet prej vetit, po i nxjerrin. E kanë një gamë të gjerë të ligjeve dhe fushëveprimit të një infrastrukture ligjore që i tejkalon ato rregulla që ne i kemi. Për shembull, nuk thirren as në ligjet tona, në Kodin tonë Penal siç përcaktohen këto vepra. Ka ndryshueshmëri të vazhdueshme edhe të aplikimit të standardeve të gjykimit në procedurë penale, por edhe në aplikimin e dënimit. E sidomos parimi i legalitetit e detyron një gjykatë që ta aplikojë dhe të bëjë aplikimin e ligjit më të favorshëm i cili ka vepruar në kohë. Pra, në kohën ’98-’99 deri në 2000 ka aplikuar ligji i cili ka qenë në fuqi i ish-Jugosllavisë, ku dënimin kapital e ka pasur të zëvendësuar me vdekje dhe ka pasur dënimin me burgim vetëm maksimumi deri në 15 vjet”, tha ai.
