Avokatët e njohur të angazhuar për të mbrojtur muzikantin amerikan D4vd në gjyqin për vrasjen e 14-vjeçares Celeste Rivas Hernandez janë tërhequr nga çështja. D4vd, emri i ligjshëm i të cilit është David Anthony Burke, u deklarua i pafajshëm të hënën në një gjykatë në Los Angeles, ndërsa gjykata ka caktuar një seancë paraprake për 19 tetor.
21-vjeçari akuzohet për vrasjen e Hernandez, trupi i së cilës u gjet në shtator 2025 në një Tesla të regjistruar në adresën e tij. Prokurorët pretendojnë se Burke e ka vrarë adoleshenten pas një periudhe abuzimi seksual dhe më pas ka copëtuar trupin e saj.
Avokatët Blair Berk, Marilyn Bednarski dhe Regina Peter, të cilët kishin marrë përsipër mbrojtjen e muzikantit, deklaruan për BBC se gjykata kishte miratuar kërkesën e tyre për t’u tërhequr nga çështja. Në vend të tyre, Burke do të përfaqësohet nga Zyra e Avokatit Publik të Qarkut të Los Angeles. Blair Berk, e cila drejtoi ekipin mbrojtës, ka përfaqësuar më parë figura të njohura si Mel Gibson, Harvey Weinstein, Britney Spears dhe Lindsay Lohan.
“Ne vazhdojmë ta mbështesim Davidin dhe mbrojtjen e tij kundër këtyre akuzave të rënda”, thanë avokatët në deklaratën e tyre.
Zëvendës avokati publik Walid Kandeel tha se Burke ka të drejtë për një mbrojtje që i merr seriozisht rrethanat e tij dhe shqyrton me kujdes provat.
Burke përballet me akuza për vrasje të shkallës së parë, gjymtim të mbetjeve njerëzore dhe abuzim seksual me fëmijë. Akuzat për vrasje përfshijnë edhe rrethana të veçanta të lidhura me përfitimin financiar, të cilat mund ta bëjnë atë potencialisht të përballet me dënimin me vdekje.
Prokurorët pretendojnë se motivi i vrasjes lidhej me frikën e Burke se Hernandez do të zbulonte marrëdhënien e tij me një të mitur dhe do të dëmtonte karrierën e tij muzikore.
Gjatë seancës paraprake u paraqitën edhe mesazhe kërcënuese që 14-vjeçarja i kishte dërguar Burke më 22 prill 2025. Sipas prokurorisë, të nesërmen Hernandez shkoi në shtëpinë e Burke në Hollywood me një Uber që ai kishte dërguar për ta marrë dhe pretendohet se ai e goditi me thikë sapo ajo mbërriti.
Prokurori i Qarkut të Los Angeles, Nathan Hochman, tha se zyra e tij është e gatshme të vazhdojë çështjen kundër Burke, ndërsa pranoi se ndryshimi i ekipit mbrojtës mund të shkaktojë vonesa në procedura. Top Channel

