Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, njoftoi se po vijojnë procedurat për përfundimin e rrugës Kombinat-Ndroq-Plepa, e cila do të shërbejë si alternativë për qarkullimin drejt Durrësit.
Segmenti i parë prej 5 kilometrash deri në Pezë ka përfunduar dhe është marrë në dorëzim nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH). Për 9 kilometrat pasues janë lidhur kontratat, ndërsa për 10 kilometrat e fundit deri në Plepa tha ministri financimi është siguruar dhe gara pritet të hapet brenda mesit të nëntorit.
Sipas ministrit, synohet që kontratat për segmentin e fundit të lidhen në fillim të janarit, për të vijuar me përmbylljen e të gjithë aksit. Projekti pritet të lehtësojë trafikun drejt Durrësit, të përmirësojë aksesin për zonat bujqësore dhe të rrisë vlerën e pronave përgjatë rrugës. Ndërkohë, drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, bëri të ditur se rruga do të jetë e kategorisë C1, me gjerësi 12.5 metra, ndërsa punimet për urën e re të Beshirit mbi lumin Erzen kanë nisur dhe parashikohen të zgjasin 12 muaj.
Ministri Karakaçi: Po marrim të gjithë hapat e nevojshëm për të përmbyllur rrugën Kombinat-Plepa. Tashmë 5 kilometërshi i parë që të çon deri në Pezë është i përfunduar dhe tashmë e ka marrë në dorëzim Autoriteti Rrugor Shqiptar. Lajmi i mirë është që ditën e djeshme Autoriteti Rrugor Shqiptar ka finalizuar kontratën për vijimin e 9 kilometrave pasues.
Ndërsa, po ashtu, që është element i rëndësishëm për shkak të rëndësisë që ka ky segment rrugor është që dhe 10 kilometërshi që të çon deri në Durrës, në Plepa, tashmë është i financuar. Autoriteti Rrugor Shqiptar po përmbyll gjithë dokumentacionin e nevojshëm që brenda mesit të muajit nëntor të hapë procedurën e konkurrimit. Pra kemi një segment tashmë Kombinat-Plepa, i cili është i financuar. 9 kilometrat vijues tashmë janë lidhur ditën e djeshme nga Autoriteti Rrugor Shqiptar kontratat dhe 10 kilometrat pasues që të çojnë deri në Durrës janë të financuar dhe brenda mesit të muajit nëntor hapim procedurën konkurruese.
Pse është i rëndësishëm ky segment dhe ne në fakt e kemi vënë në fokus që gjatë këtij viti të kemi mbyllur kontraktimin e gjithë segmentit që shkon deri në Durrës? Sepse së pari, është një rrugë alternative që të çon deri në Durrës, shumë e përdorur sidomos gjatë sezonit turistik. E dyta, këtu kemi një zonë bujqësore dhe është edhe më e thjeshtë dhe më e shpejtë tashmë aksesi me qytetet kryesore, Tiranën dhe Durrësin. Por, po ashtu, kjo është një zonë piktoreske, dhe bëjmë edhe rritjen e vlerës së pronës për gjithë këtë zonë dhe këtë segment.
Ami, disa informacione çfarë përmban, e di që ka disa vepra arti, disa ura të cilat janë të rëndësishme që qytetarët dhe banorët na kanë ngritur disa herë shqetësim. Kemi dhe një kontratë te ura e Beshirit, e cila po ashtu shqetësim i vazhdueshëm dhe që kemi tashmë një kontratë të lidhur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Drejtori i ARRSH, Ami Kozeli:
Sikurse e thatë edhe ju ministër, kjo është një rrugë e një rëndësi të veçantë, veçanërisht për shfryrjen e trafikut drejt jugut edhe drejt qytetit të Durrësit. Kjo do të jetë një rrugë e kategorisë C1, me një gjerësi 12.5 metër. Do jenë dy karrexharatë të plota me gjerësi 3.75 metër, ndërkohë që do ketë edhe dy bankina të asfaltuara nga 1.5 dhe dy bankina të pa asfaltuara nga 1 metër të gjëra.
Po është e vërtetë, në korrik të këtij viti kemi lidhur dhe një kontratë për ndërtimin e urës së re të Beshirit, do jetë një urë e re mbi lumin Erzen, paralel me urën ekzistuese. Kjo do jetë një urë me gjatësi 179 metër me 6 hapësira dritë, ku katër janë me 30 metër njëra nga tjetra, ndërkohë dy me 29.5.
Në Këshillin Teknik të Autoritetit Rrugor Shqiptar ne kemi marrë dhe masat e nevojshme për të bërë një rakordim midis rrugës ekzistuese dhe urës së re të projektuar, ndërkohë që aty ka nisur praktikisht puna, pasi janë bërë gjithë piketimet e nevojshme, është bërë lirimi i sheshit të ndërtimit dhe kontraktori është në punë për të vijuar.
Kjo kontratë është 12 mujore, ajo e urës së Beshirit është 12 mujore, ndërkohë që dy kontratat që ju cituat janë me gjatësi 24 muaj dhe Autoriteti Rrugor, sikurse dhe këtë kontratën e parë, do e mbylli në kohë, nuk parashikojmë të kemi vështirësi në mbylljen në afat të kontratës.
Ministri Karakaçi: Ju do vazhdoni punën për të gjithë segmentet pasuese. Është e rëndësishme që puna të nisë sa më parë për dy kontratat që tashmë ne i kemi lidhur ditën e djeshme, që janë rreth 9 kilometra. Besoj që brenda fillimit të nëntorit do të fillojë mobilizimi i kantierit, pasi më sqarove që ka filluar edhe piketimi i rrugëve në kantier dhe është shumë e rëndësishme që të ecim dhe me segmentin vijues 10 kilometra që në qoftë se ne e shpallim brenda mesit të nëntorit, ne duhet të kemi diku nga fillimi i janarit kontratat të lidhura edhe për ato. Është një gjë shumë e rëndësishme pasi i japim përmbylljen e gjithë këtij segmenti. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *AnashAktualitet

