Një situatë alarmante raportohet në rrugën që të çon drejt Kalasë së Beratit, ku një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një zonë pranë rrugës, duke krijuar re të mëdha tymi të zi.
Sipas informacioneve paraprake nga vendngjarja, janë dëgjuar të paktën tre shpërthime të fuqishme, njëri pas tjetrit. Shpërthimet kanë shkaktuar panik te banorët dhe turistët që ndodheshin në zonë.
Ndërkohë, sipas informacionit të siguruar nga JOQ Albania, një autobus është përfshirë nga flakët. Ende nuk ka të dhëna zyrtare nëse ka persona të lënduar.
Zjarrfikësit janë nisur drejt vendngjarjes për të ndërhyrë dhe për të vënë nën kontroll flakët, ndërsa pritet të zbardhen edhe rrethanat se si nisi zjarri dhe çfarë shkaktoi shpërthimet.
Ngjarja vijon të jetë në zhvillim. Priten informacione të reja nga vendngjarja.

