Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Fishtës pasditen e sotme, ku një 12-vjeçar ka humbur jetën pas një aksidenti rrugor në aksin që lidh fshatin me superstradën Lezhë-Shkodër.
I mituri është përplasur nga një automjet i llojit “Audi”. Goditja ka qenë e fortë dhe fatale për të riun, i cili ka ndërruar jetë në vend.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor për të izoluar zonën. Autoritetet kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të dinamikës dhe rrethanave të këtij aksidenti tragjik, ndërsa drejtuesi i automjetit është shoqëruar nga policia për kryerjen e procedurave ligjore.

