Lajme Zone
Athinë/ Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor takohen me Kos, Gerapetritis: Mbështesim integrimin, por duhet sundimi i ligjit! Hoxha: Thelbësor transformimi i rajonit
PolitikëShqiptarja

Athinë/ Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor takohen me Kos, Gerapetritis: Mbështesim integrimin, por duhet sundimi i ligjit! Hoxha: Thelbësor transformimi i rajonit

Dy ditë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, ministrat e Jashtëm të rajonit dhe vendeve partnere janë mbledhur në Athinë në takimin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, me fokus përshpejtimin e procesit të zgjerimit të BE. Shqipëria përfaqësohet nga Ferit Hoxha, i cili zhvilloi edhe një takim dypalësh me homologun grek, Gerapetritis.

Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur këtë të hënë në Athinë, dy ditë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet në Bruksel më datë 25 nëntor. Takimi, i organizuar me nismën e ministrit të Jashtëm grek, George Gerapetritis, mblodhi kryediplomatët e disa prej vendeve të Bashkimit Evropian të grupimit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, me praninë edhe të Komisioneres për Zgjerim Marta Kos. Greqia, si mikpritëse, përshëndeti avancimin e vendeve kandidate, sidomos Malin e Zi dhe Shqipërinë, por theksin e vendosi te meritokracia e procesit. LEXO EDHE:Çështja e detit, Greqia këmbëngul për 12 miljet në Detin Jon! Gerapetritis: E drejtë e patjetërsueshme “Ballkani Perëndimor është i domosdoshëm për përmbylljen e unitetit politik të kontinentit tonë dhe vazhdimësinë gjeografike të Bashkimit Evropian. Kjo është arsyeja pse ritmi i procesit duhet të ruhet dhe të përshpejtohet pikërisht tani. Shqipëria ka hapur tashmë të gjithë kapitujt brenda një viti dhe ka mbyllur katër prej tyre, ndërsa pesë të tjerë janë ende në diskutim. Urime, i dashur Ferit, për këtë arritje! Qeverisja demokratike, respektimi i të drejtave të njeriut dhe lufta kundër korrupsionit nuk janë thjesht parakushte për anëtarësimin, por çelësi i transformimit të rajonit”, tha Gerapetritis. Vetë kryediplomati i Shqipërisë zhvilloi edhe një takim dypalësh me homologun grek, ku theksin e vendosi tek marrëdhëniet mes dy vendeve dhe rruëgtimi europian i Shqipërisë. “Një proces zgjerimi i besueshëm, i bazuar në meritë dhe me vizion për të ardhmen, është thelbësor jo vetëm për transformimin e Ballkanit Perëndimor, por edhe për sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të Europës. Partneriteti strategjik, miqësia, dialogu i hapur dhe konstruktiv, si dhe e ardhmja e përbashkët europiane janë shtyllat e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë”, u shpreh Hoxha. Në takimin e Athinës, diskutimet përqendrohen edhe te sundimi i ligjit, qeverisja demokratike dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, ndërsa në axhendë është edhe mbështetja e ODIHR-it për reformat demokratike në vendet e rajonit. Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 14:13 'E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE', ministri grek përgëzon Shqipërinë për përparimin në negociatat e anëtarësimit: Nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për integrimin Ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, gjatë fjalës hapëse në takimin e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor në Athinë. “Shqipëria ka hapur kapitujt brenda një viti dhe ka mbyllur tashmë katër kapituj, ndërsa pesë të tjerë janë në diskutim. Urime, i dashur Ferit, për këtë”, iu drejtua ai ministrit shqiptar Ferit Hoxha.Gerapetritis theksoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE, por nënvizoi se anëtarësimi kërkon reforma konkrete, respektimin e shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut dhe marrëdhënie të mira fqinjësore. Sipas tij, zgjidhja nuk është ulja e standardeve për anëtarësim, por mbështetja e vendeve të rajonit për t'i përmbushur ato.Fjala e plotë e ministrit të Jashtëm grek, George Gerapetritis, në takimin e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor në Athinë"Së pari, dua t'ju uroj të gjithëve mirëseardhjen në Athinë. Është vërtet një nder i veçantë t'ju pres këtu. Jemi veçanërisht të kënaqur me pjesëmarrjen e gjerë në këtë takim dhe interesin që ai ka ngjallur. Dje patëm mundësinë të bisedonim në një atmosferë më informale, që është gjithmonë mënyra më e këndshme. Por tani duhet të bëjmë një punë serioze, sepse çështja që kemi përpara, pra anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe mënyra se si mund të ruajmë ritmin e këtij procesi, është vërtet vendimtare. Kohët janë të paqëndrueshme dhe duhet të bëjmë përparim konkret në procesin e zgjerimit.Për ne, prania juaj këtu është një vlerësim i përpjekjeve tona të vazhdueshme, si Grupi i Miqve të Ballkanit Perëndimor, për të mbështetur aspiratat e partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE. Besoj se këto përpjekje do të marrin një shtysë të re gjatë Presidencës sonë të Këshillit të Bashkimit Europian, në gjysmën e dytë të vitit 2027.Duke u mbështetur në Axhendën e Selanikut të vitit 2003, tashmë 23 vjet më parë, pata kënaqësinë t'ju prisja ju dhe kolegët e mi nga Ballkani Perëndimor në Forumin Ekonomik të Delfit, në maj të këtij viti. Pas një shkëmbimi shumë interesant pikëpamjesh, miratuam Deklaratën e Delfit për Integrimin Europian të Ballkanit Perëndimor, duke riafirmuar bindjen tonë të përbashkët se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian, si dhe angazhimin tonë të përbashkët për ta arritur këtë qëllim.Tani kam kënaqësinë dhe nderin t'ju pres këtu në Athinë, në djepin e demokracisë. Sesioni i kësaj paraditeje ka si temë “Zgjerimi: Ruajtja e ritmit”. Dhe ky ritëm ekziston, siç dëshmohet nga diskutimet intensive që po zhvillohen përpara zgjerimit të ardhshëm. Këto diskutime përqendrohen te rregullimet institucionale që nevojiten dhe te mënyrat për të mbështetur më tej rrugën europiane të partnerëve tanë.Aristoteli ka thënë, dhe unë vazhdoj ta përsëris sepse më pëlqen shumë ky citim, se e tëra është më e madhe se pjesët e saj. Pikërisht kështu e përshkruajmë rëndësinë e zgjerimit, si për Bashkimin Europian, ashtu edhe për partnerët e Ballkanit Perëndimor.Ndonjëherë harrojmë se është po aq e rëndësishme që Bashkimi Europian ta mbështesë procesin e zgjerimit, sepse ai pasqyron dëshirën e popujve që ndodhen në pragun e Bashkimit Europian për t'u bërë pjesë e familjes sonë.Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, siç e pranojmë të gjithë, është një investim për paqen, sigurinë dhe mirëqenien. Rajoni do të përfitojë nga ndryshimet që sjell ky anëtarësim. Në të njëjtën kohë, pasi të integrohet në Bashkimin Europian, besoj se do të luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e Unionit, duke qenë i vendosur në një pikë strategjike shumë të ndjeshme, mes Europës Lindore dhe Mesdheut Lindor, dy zona që fatkeqësisht janë vatra krizash ndërkombëtare.Ballkani Perëndimor është i nevojshëm për të plotësuar unitetin politik të kontinentit tonë dhe vazhdimësinë gjeografike të Bashkimit Europian.Për të gjithë ne, vendet e Ballkanit Perëndimor janë fqinjët tanë të drejtpërdrejtë, me të cilët ndajmë sfida dhe një të ardhme të përbashkët. Prandaj, ritmi i këtij procesi duhet të ruhet dhe të përshpejtohet që sot.Dy ditë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel dhe pas kontributit të Komisionit Europian për përgatitjen e një Bashkimi më të zgjeruar, faleminderit shumë për këtë, e dashur Marta, si dhe pas Paketës së Zgjerimit 2026, jemi këtu për të parë se si mund ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe për të shkëmbyer lirshëm mendime mbi përparimin e arritur, sfidat aktuale dhe mënyrat më të mira për të ecur përpara.Duhet të pranojmë se është arritur vërtet shumë përparim.Mali i Zi është një shembull i qartë suksesi i politikës së zgjerimit të Bashkimit Europian, duke treguar se afrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit të plotë në BE është vërtet i mundur kur përmbushen kushtet përkatëse.Edhe Shqipëria i ka hapur tashmë kapitujt brenda një viti dhe ka mbyllur katër kapituj, ndërsa pesë të tjerë janë në diskutim. Urime për këtë, i dashur Ferit.Maqedonia e Veriut ka bërë tashmë përparim të konsiderueshëm në një sërë fushash, veçanërisht në transformimin digjital, përafrimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë, si dhe në disa aspekte të reformës së administratës publike. Urime, i dashur Timço.Serbia ka miratuar një sërë masash reformuese lidhur me sundimin e ligjit, përfshirë funksionimin e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, mediat elektronike dhe kuadrin zgjedhor, i cili është një kusht shumë i rëndësishëm për proceset demokratike. Presim me interes të bashkëpunojmë me qeveritë e reja për të përshpejtuar përpjekjet drejt anëtarësimit.Bosnjë-Hercegovina ka ndërmarrë hapa në luftën kundër korrupsionit dhe financimit të terrorizmit. Presim të punojmë me qeverinë e re për të rifilluar përpjekjet dhe për t'u përqendruar në përparimin e vendit drejt BE-së. Urime, Dino, dhe faleminderit që je këtu.Mirëpresim gjithashtu përpjekjet e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe përmirësimin në lidhje me sfidat kryesore të mjedisit të biznesit.Natyrisht, në të njëjtën kohë, e kuptojmë se sfidat mbeten. Veçanërisht kur bëhet fjalë për grupkapitullin e çështjeve themelore dhe nevojën për të ndërmarrë e zbatuar në mënyrë efektive reforma thelbësore, nuk duhet të harrojmë se çështjet themelore janë në thelb çelësi i Europës, sepse ato janë pikërisht ato që na bashkojnë.Angazhimi ynë i përbashkët, angazhimi ynë historik ndaj parimeve themelore të demokracisë dhe sundimit të ligjit.Qeverisja demokratike, respektimi i të drejtave të njeriut dhe lufta kundër korrupsionit nuk janë thjesht kushte paraprake për anëtarësim. Ato janë çelësi i transformimit të rajonit, para së gjithash në të mirë të vetë qytetarëve të tij. Pikërisht për këtë arsye kanë rëndësi.Më lejoni të theksoj gjithashtu rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare, të cilat përbëjnë një pjesë thelbësore të procesit të anëtarësimit dhe një kusht themelor për stabilitetin dhe mirëqenien e të gjithë rajonit.Ato janë, natyrisht, po aq të rëndësishme për të ndërtuar besimin e nevojshëm mes shteteve anëtare në një Bashkim Europian më të zgjeruar.Duke thënë këtë, rruga e duhur përpara nuk është, natyrisht, ulja e standardeve, por mbajtja e tyre lart dhe mbështetja e inkurajimi i të gjithë partnerëve për t'i përmbushur këto standarde.Kjo është plotësisht e realizueshme dhe ne kemi besim se ata do të arrijnë t'i përmbushin në një të ardhme shumë të afërt.Si shteti më i vjetër anëtar i BE-së në rajon, Greqia nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të mbështetur aspiratat europiane të Ballkanit Perëndimor.Në veçanti, përpara Presidencës sonë të Këshillit të Bashkimit Europian në vitin 2027, duhet të sigurohemi që të kemi një Bashkim të të barabartëve, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin prej tij.Me kaq po e mbyll dhe mezi pres të dëgjoj pikëpamjet tuaja.Edhe një herë, ju uroj përzemërsisht mirëseardhjen në Athinë dhe është një nder i veçantë për mua t'ju pres këtu" U.D/Shqiptarja.com Share Ora 12:30 Gerapetritis pret Hoxhën në Athinë, ministri grek kërkon respektimin e të drejtave të minoriteteve dhe sundimin e ligjit Respektimi i të drejtave të minoriteteve dhe sundimi i ligjit kanë qenë ndër çështjet që ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, ka theksuar gjatë takimit me homologun shqiptar, Ferit Hoxha, këtë të hënë në Athinë.Në një njoftim në rrjetin social X, Ministria e Jashtme greke zbardhi detajet e takimit. “Në fokus ishin përpjekjet e Greqisë për të çuar përpara perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor. Ministri Gerapetritis theksoi gjithashtu nevojën për respektimin e shtetit të së drejtës, përfshirë të drejtat e minoriteteve, në përputhje me acquis të BE-së”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme greke. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 09:30 Integrimi i Shqipërisë në BE, Hoxha takon homologun grek në Athinë: E ardhmja e përbashkët europiane na bashkon! Mesazh për diasporën: Jeni pjesë e gjallë e Shqipërisë Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe marrëdhëniet me Greqinë ishin në qendër të takimit që ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, zhvilloi këtë të hënë në Athinë me homologun grek, George Gerapetritis. Takimi mes dy ministrave u zhvillua në kuadër të takimit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, ku po diskutohet edhe për perspektivën europiane të rajonit.Hoxha dhe Gerapetritis folën për marrëdhëniet shqiptaro-greke, bashkëpunimin mes dy vendeve dhe ecurinë e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Ministri shqiptar falënderoi Greqinë për mbështetjen në procesin e integrimit, ndërsa theksoi se zgjerimi i Unionit duhet të mbetet një proces i besueshëm dhe i bazuar në meritë.“Një proces zgjerimi i besueshëm, i bazuar në meritë dhe me vizion për të ardhmen, është thelbësor jo vetëm për transformimin e Ballkanit Perëndimor, por edhe për sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të Europës”, theksoi Ministri Hoxha.“Partneriteti strategjik, miqësia, dialogu i hapur dhe konstruktiv, si dhe e ardhmja e përbashkët europiane janë shtyllat e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë”, shtoi Hoxha, duke nënvizuar edhe përgjegjësinë e përbashkët të dy vendeve, si aleate në NATO, për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.Gjatë vizitës së tij në Athinë, Hoxha u takua edhe me shqiptarë që jetojnë në Greqi, në një pritje të organizuar nga ambasada shqiptare në kuadër të 114-vjetorit të Pavarësisë.Përpara përfaqësuesve të shoqatave, mësuesve, të rinjve dhe sipërmarrësve shqiptarë, ministri u ndal te lidhjet e diasporës me vendin dhe kontributi që ajo mund të japë në procesin e integrimit europian.“Shqiptaria nuk kufizohet me kufijtë tanë gjeografikë, ajo është dhe gjallon kudo ku një shqiptar jeton, punon, krijon, ndërton dhe kontribuon. Diaspora nuk është thjesht në krah të Shqipërisë. Ajo është një urë e fuqishme mes atdheut dhe vendeve ku shqiptarët jetojnë, krijojnë dhe lënë gjurmë. Diaspora është pjesë e gjallë e Shqipërisë. Është atdheu ynë përtej kufijve”, deklaroi ministri.Kjo është arsyeja që për Ministrin e Jashtëm, e ardhmja europiane e Shqipërisë kërkon kontributin e të gjithëve.“Ajo ka nevojë edhe për energjinë, dijen, përvojën dhe potencialin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Kjo ishte ftesa jonë në Samitin IV-t të Diasporës. Kjo është dhe mbetet ftesa jonë. Në këtë rrugëtim, diaspora nuk është thjesht në krah të Shqipërisë. Ajo është një urë e fuqishme mes atdheut dhe vendeve ku shqiptarët jetojnë, krijojnë dhe lënë gjurmë. Diaspora është pjesë e gjallë e Shqipërisë. Është atdheu ynë përtej kufijve”, deklaroi Hoxha. SI.E./Shqiptarja.com Share U.D / SI.E. U.D Shqiptarja.com TAG: Marta Kos Kaja Kallas integrimi ne be athine greqi Ferit Hoxha Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 5.0 / 5 (1 vlerësim) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento filip: 23/11/2026 13:06 Një gjë është e sigurtë Athina do të jetë e para që do jetë kundra Shqipërisë për në BE.këtë e ka treguar me vepra futi vrasësin hidraolik në PE vetëm për inat të Shqipërisë. Përgjigju Real: 23/11/2026 12:39 Po per heqjen e ligjit te luftes diskutuat apo vetem cfar kerkon greku?? Përgjigju Sondazhi i ditës:

21 Nëntor, 17:11

Cila mendoni se është rruga për zgjidhjen e kërkesave të studentëve? Dialogu 71.2% Protesta 22.7% Asnjëra 6% Vota total: 2278 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 21 Nëntor, 17:11 Cila mendoni se është rruga për zgjidhjen e kërkesave të studentëve?