Në tetor të vitit 2025, një telefonatë urgjente në sallën operative të Policisë së Elbasanit ngriti në këmbë Repartin Operacional dhe forcat Shqiponjat. Informacioni ishte alarmant: një grup i armatosur po planifikonte një atentat në zonën e Bradasheshit. Kur forcat e rendit rrethuan lokalin, përballë patën 14 persona nga Tirana e Elbasani, mes të cilëve edhe ish-deputetin Bujar Muça.
Nderhyra nuk kaloi pa tension. Efektivët u përballën me dhunë e kundërshtim fizik gjatë tentativës për t'i shoqëruar. Bilanci i aksionit fliste vetë: vetëm tre persona u prangosën, ndërsa në tryezë u sekuestruan tre pistoleta me fishekë në fole, gati për qitje. Pavarësisht rrezikshmërisë dhe faktit se armët mund t'u përkisnin edhe anëtarëve të tjerë të grupit, "rrethimi" u shpërbë pa zhurmë e grupi u la i lirë.
Pasojat e këtij tolerimi nuk vonuan. Grupi "Delta" rikrijoi skena si të kartelave meksikane në mes të ditës. Një karavan prej 8 makinash dhe rreth 15 personash të armatosur rrethuan ambientet e Hotel "Regina". Në sytë e fëmijëve, grave dhe turistëve vendas e të huaj, pronarët e kompanisë "Delta", Luan Muça (tashmë i arrestuar) dhe Bujar Muça (i shpallur në kërkim), nxorrën armët dhe i kërkuan pronarit të hotelit 5 milionë euro gjobë, duke i dhënë ultimatum 48 orë për t'u larguar nga Shqipëria.
Tentativa e tyre për t'iu shmangur drejtësisë pas ngjarjes përfi me një aksident gjatë ndjekjes nga policia, por pyetjet e mëdha mbeten pezull: Si ka mundësi që një informacion për atentat të trajtohet me aq sipërfaqësi?
Si mund të lirohen 14 persona të kapur me pistoleta të mbushura sikur të kishin uji dhe jo plumba? Mosveprijmi i djeshëm i organeve të ligjit nuk solli thjesht një dështim procedural, por u kthye në faturën e sotme të pasigurisë që kërcënon drejtpërdrejt rendin dhe imazhin e vendit.

