Gent Kaprata
“If men were angels, no government would be necessary.”
Kur James Madison shkroi këto fjalë në Federalist No. 51, në vitin 1788, nuk po formulonte vetëm një nga frazat më të bukura të filozofisë politike amerikane. Ai po prekte problemin themelor të çdo qeverisjeje: njerëzit kanë nevojë për qeveri pikërisht sepse nuk janë engjëj, por qeveritë gjithashtu drejtohen nga njerëzit dhe, për pasojë, as ata që ushtrojnë pushtetin nuk mund të trajtohen si engjëj.
Prej kësaj premise të thjeshtë, pothuajse të ftohtë në realizmin e saj, buron një pjesë e madhe e arkitekturës kushtetuese amerikane. Madison e çonte argumentin më tej: sfida është, së pari, t’i japësh qeverisë fuqinë për të kontrolluar të qeverisurit dhe, më pas, “oblige it to control itself” (ta detyrosh të kontrollojë vetveten). Pikërisht këtu qëndron thelbi i Amerikës: jo vetëm te fuqia e qeverisë, por te fuqia për ta kufizuar atë.
Kushtetuta amerikane nuk u ndërtua mbi besimin se qeveria do të kishte gjithmonë të drejtë. Përkundrazi, ajo u ngrit mbi një mosbesim të shëndetshëm ndaj pushtetit të përqendruar dhe mbi pranimin se çdo autoritet, sado legjitim, mund të gabojë, të teprojë apo të abuzojë. Prandaj pushteti u nda, u krijuan checks and balances dhe u ngritën garancitë kushtetuese të individit. Në këtë kuptim, Kushtetuta nuk është vetëm një instrument që i tregon qytetarit kufijtë e tij përballë shtetit, është para së gjithash, një instrument që i tregon shtetit kufijtë e tij përballë qytetarit.
Që në vitin 1803, me vendimin historik Marbury v. Madison, Gjykata e Lartë amerikane konsolidoi një parim revolucionar për kohën. Edhe pushteti politik i nënshtrohet kontrollit kushtetues. Kongresi mund të miratojë ligje, Presidenti mund t’i firmosë dhe qeveria mund të marrë vendime, por autoriteti që ushtrojnë nuk u jep atyre monopolin mbi të drejtën dhe të vërtetën. Në fund të fundit, edhe institucionet drejtohen nga njerëz, dhe njerëzit, siç na kujton Madison, nuk janë engjëj.
Pikërisht këtu historia e Sali Berishës me Shtetet e Bashkuara fiton një kuptim shumë më interesant sesa kronologjia e një vendimi të vitit 2021 dhe zhvillimeve të vitit 2026.
Në Shqipëri, atëherë, nuk na u komunikua thjesht një vendim amerikan. Na u komunikua pakthyeshmëria e tij. Zyrtarë amerikanë, përfshirë ambasadoren e kohës në Tiranë, folën me një siguri që linte shumë pak hapësirë për vetë konceptin e rishikimit. U theksua se nga qindra raste të ngjashme asnjë nuk ishte kthyer mbrapsht, se nuk ishte realiste të pritej që ndryshimi i administratës amerikane të ndryshonte rezultatin dhe se institucionet amerikane ishin plotësisht të bindura për vendimmarrjen e tyre.
Mesazhi politik ishte i qartë: ky vendim ishte gdhendur në gur!
Dhe pikërisht aty ndodhi paradoksi. Në përpjekjen për të treguar forcën e një vendimi amerikan, disa përfaqësues të Amerikës harruan diçka shumë më të thellë dhe më amerikane se vetë vendimi. Harruan Madisonin.
Sepse problemi nuk është që një qeveri merr vendime, as që një Sekretar Shteti, një ambasador apo një administratë mund të gabojë. Etërit Themelues e kishin pranuar gabueshmërinë njerëzore në themel të sistemit që po ndërtonin. Problemi fillon kur pushteti harron se mund të gabojë dhe kur një vendim administrativ paraqitet jo si produkt i institucioneve të një kohe të caktuar, por si një e vërtetë mbi kohën, rishikimin dhe vetë mundësinë e korrigjimit.
Në një republikë të ndërtuar mbi kufizimin e pushtetit, kjo është një ide e çuditshme. Në Amerikë mund të kontrollohet Presidenti, të sfidohet Kongresi, të rrëzohet një akt i pushtetit dhe të ndryshojë një politikë shtetërore. Atëherë përse duhej konsideruar i përjetshëm një vendim i një qeverie?
Koha dha përgjigjen e saj.
Sot Sali Berisha ndodhet në Shtetet e Bashkuara, hyn në territorin amerikan, takohet dhe zhvillon aktivitet politik atje. Situata që iu paraqit shqiptarëve si praktikisht e pakthyeshme nuk është më ajo e vitit 2021. Dhe këtu qëndron lajmi i madh, përtej entuziazmit politik të një pale apo zhgënjimit të tjetrës.
Nuk është historia e një shqiptari që mundi Amerikën. Amerika nuk u mund. Përkundrazi, Amerika fitoi.
Fitoi Amerika e Madisonit mbi idenë e pagabueshmërisë së pushtetit. Fitoi sistemi që është mjaftueshëm i fuqishëm për të mos u bërë rob i vendimeve të veta dhe një kulturë politike që nuk e sheh korrigjimin si poshtërim të autoritetit, por si shenjë të pjekurisë së tij. Një shtet mund të jetë shumë i fuqishëm dhe megjithatë i brishtë; një demokraci bëhet vërtet e fortë kur nuk ka nevojë të pretendojë se çdo vendim i saj është i përjetshëm.
Edhe Sali Berisha ka kontributin e vet në këtë histori. Për pesë vjet ai refuzoi ta trajtonte një vendim të qeverisë amerikane si verdikt të historisë. E kundërshtoi publikisht, politikisht dhe institucionalisht, edhe kur i thuhej se çështja ishte e mbyllur. Në këtë kuptim, këmbëngulja e tij kërkonte nga sistemi amerikan pikërisht atë që Madison kërkonte nga qeveria: aftësinë për të kontrolluar vetveten.
Prandaj do të ishte shumë pak ta lexonim vizitën e sotme të Berishës në SHBA vetëm si triumf personal. Ka një fitues më të madh: demokracia amerikane.
Regjimet autoritare e kanë tmerr korrigjimin, sepse ndërtohen mbi mitin e pagabueshmërisë. Udhëheqësi nuk gabon, qeveria nuk gabon, institucioni nuk gabon dhe, për pasojë, vendimi nuk ndryshon. Demokracia funksionon mbi një logjikë tjeter, ajo mund të rishikojë vetveten, të ndryshojë pa u shembur dhe të korrigjojë pa humbur legjitimitetin. Kjo nuk e zvogëlon shtetin. Përkundrazi, e madhështon.
Në Tiranë, pesë vjet më parë, disa na prezantuan një Amerikë të vendimeve të pakthyeshme. Por përtej Atlantikut vazhdonte të ekzistonte Amerika tjetër: ajo e Kushtetutës, e kufizimit të pushtetit, e checks and balances, e rishikimit dhe e vetëkorrigjimit. Amerika e Madisonit.
Sepse njerëzit nuk janë engjëj. As qytetarët, as politikanët, as ambasadorët, as Sekretarët e Shtetit dhe as Presidentët. Etërit Themelues e dinin këtë shumë mirë. Prandaj nuk ndërtuan një Republikë që kërkon prej qytetarit të besojë se qeveria nuk gabon; ndërtuan një Republikë që, pikërisht sepse qeveria mund të gabojë, duhet të jetë gjithmonë e aftë të kontrollojë, të rishikojë dhe të korrigjojë vetveten.
Disa e harruan këtë për një moment.
Amerika jo. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

