Lajme Zone
Asnjë gjurmë nga Alket Rizai, pala greke dyshon se fshihet në Shqipëri
EkonomiJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Asnjë gjurmë nga Alket Rizai, pala greke dyshon se fshihet në Shqipëri

Alket Rizai vijon të jetë në kërkim nga autoritetet greke, ndërsa hetimet tashmë janë shtrirë edhe përtej kufirit, pasi policia po shqyrton mundësinë që ai të jetë larguar ilegalisht drejt Shqipërisë.

Alket Rizai vijon të jetë në kërkim nga autoritetet greke, ndërsa hetimet tashmë janë shtrirë edhe përtej kufirit, pasi policia po shqyrton mundësinë që ai të jetë larguar ilegalisht drejt Shqipërisë.

Pista shqiptare është ngritur pasi gjurma e fundit e Rizait është lokalizuar në Greqinë Veriore. Sipas informacioneve që kanë mbërritur te autoritetet greke, dyshohet se prej këtij rajoni ai mund të jetë drejtuar drejt kufirit dhe më pas të ketë kaluar ilegalisht në territorin shqiptar.

Kërkimet në Greqi vijojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të rindërtojnë lëvizjet e tij pas incidentit dhe itinerarin që mund të ketë ndjekur. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar se Rizai ka hyrë në Shqipëri apo se ndodhet i fshehur në territorin shqiptar. Bëhet fjalë vetëm për një pistë që po hetohet.

Rizai ndodhej jashtë burgut të Domokosit me leje kur u përfshi në një incident me armë pranë një lokali në Anavisos, në orët e para të së dielës.

Policia greke u njoftua rreth orës 05:15 për të shtëna me armë. Në vendngjarje u gjetën dy gëzhoja dhe njolla gjaku, ndërsa personat e përfshirë ishin larguar.

Sipas rindërtimit të autoriteteve, Rizai ndodhej në lokal me dy persona të tjerë. Konflikti dyshohet se nisi pas një debati për muzikën me volum të lartë në automjet, ndërsa situata më pas u përshkallëzua.

Pamjet e raportuara nga ngjarja tregojnë Rizain duke nxjerrë një armë dhe duke qëlluar në ajër. Nga incidenti mbetën të plagosur dy punonjës të lokalit, një 20-vjeçar grek dhe një 41-vjeçar pakistanez.

Pas të shtënave, Rizai u largua me automjet së bashku me dy personat që e shoqëronin. Në kërkim është shpallur edhe një shtetas afgan, i cili dyshohet se ishte përfshirë në konflikt.

Ndërkohë, pronari i lokalit është arrestuar nën akuzën e deklarimit të rremë lidhur me rrethanat e ngjarjes.

Rizai duhej të rikthehej të hënën në burgun e Domokosit, pas përfundimit të lejes, por nuk u paraqit. Që prej atëherë, ai vijon të jetë në kërkim, ndërsa autoritetet greke po hetojnë çdo pistë për vendndodhjen e tij, përfshirë edhe mundësinë e kalimit të kufirit drejt Shqipërisë.