Skuadra e Hoffenheim regjistroi një fitore të pastër 3-0 në shtëpi kundër Bayer Leverkusen, duke i dhënë fund ecurisë pozitive prej gjashtë fitoresh radhazi të miqve në Bundesliga.
Ndeshja në "SNP Arena" nisi me një dominim të lehtë në mbajtjen e topit nga miqtë, por rastin e parë të rrezikshëm e krijuan vendasit me anë të Leon Avdullahu, goditja e të cilit u ndal nga portieri Mark Flekken.
Mundësia më e mirë e pjesës së parë erdhi sërish nga vendasit, kur Adam Hlozek goditi shtyllën pas një asisti në zonë.
Zhbllokimi i rezultatit erdhi në pjesën e dytë falë ndërhyrjes së sistemit VAR, i cili konfirmoi një faull të Edmond Tapsoba ndaj Fisnik Asllanit brenda zonës së rreptësisë. Penalltia u ekzekutua saktë nga sulmuesi kroat Andrej Kramaric, i cili shënoi golin e 1000-të në historinë e klubit të Hoffenheim në elitën e futbollit gjerman.
Vendasit dyfishuan avantazhin në minutën e fundit të kohës së rregullt përmes Alexander Prass, i cili pas golit u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për heqjen e fanellës dhe u përjashtua nga loja.
Goli i tretë dhe i fundit i takimit u shënua në minutat shtesë nga Max Moerstedt, i cili shfrytëzoi një top të kthyer pas një goditjeje në traversë nga Kramaric. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

