Pedagogu Zydi Teqja ka deklaruar se protestat studentore në Shqipëri kanë kaluar përtej kërkesave për përmirësimin e sistemit arsimor dhe tashmë synojnë ndryshimin e modelit të qeverisjes së vendit. I ftuar në studion e News24, ai u shpreh se studentët nuk kërkojnë më thjesht reforma në universitete, por një Shqipëri të re, në të cilën, sipas tij, kryeministri Edi Rama nuk mund të jetë pjesë e modelit të ardhshëm. Teqja kritikoi qëndrimin e qeverisë ndaj protestuesve, ndërsa paralajmëroi se masat e reja ndëshkuese të paralajmëruara nga kryeministri mund të sjellin efekt të kundërt, duke forcuar mobilizimin qytetar. “Studentët nuk po kërkojnë thjesht një sistem të ri arsimor, por po kërkojnë një Shqipëri të re. Kjo Shqipëri e re nuk mund ta përfshijë zotin Rama më tej”, deklaroi pedagogu. Sipas tij, problemi nuk lidhet vetëm me tarifat universitare apo kushtet ekonomike të studentëve, por me një model qeverisjeje që, siç pretendon ai, ka cenuar lirinë akademike, autonominë universitare dhe funksionimin demokratik të institucioneve. “Unë nuk mendoj se protesta e studentëve lidhet me tarifa apo me qira. Lidhet me gjithë këtë sistem që jo vetëm nuk funksionon, por po e dëmton gjithnjë e më shumë vendin”, u shpreh Teqja. Pedagogu solli si shembull një vendimmarrje të fundit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku, sipas tij, rektori ka shpallur një thirrje për studentët që dëshirojnë të jenë pjesë e Këshillit të Etikës, pikërisht në kohën kur universitetet janë përfshirë nga bojkoti.
Ai kundërshtoi mënyrën e përzgjedhjes së përfaqësuesve studentorë, duke pretenduar se kandidaturat do të seleksionohen nga vetë rektori përpara se t’i paraqiten Senatit Akademik.
“Kjo nuk është një ngjarje e thjeshtë. Është një nga ato gjëra që mund të justifikonte gjithë protestën, sepse kemi një frymë që i injoron studentët në pjesëmarrjen e tyre në procesin demokratik”, tha ai.
Duke u ndalur te ftesa e Ramës për dialog, Teqja tregoi se prej dy vitesh kishte kërkuar personalisht një diskutim me kryeministrin për çështje që lidhen me Universitetin Bujqësor, por, sipas tij, nuk kishte marrë përgjigje.
“Unë kam dy vjet që kam insistuar për dialog me kryeministrin. I kam propozuar që të shkonim bashkë me rektorin e Universitetit Bujqësor në podkastin e tij dhe të diskutonim për reformën e universitetit. Kurrë nuk i është përgjigjur kësaj kërkese”, deklaroi pedagogu.
Ai kujtoi gjithashtu protestat e mëparshme paqësore, duke akuzuar kryeministrin se nuk kishte treguar gatishmëri për dialog me pjesëmarrësit.
“Për 135 ditë protestuesit ishin paqësorë. Kryeministri dhe të gjithë të tjerët nën të vetëm u tallën me protestën. Nuk pati një reagim të sinqertë për të zhvilluar dialog”, u shpreh Teqja.
Megjithatë, ai theksoi se nuk mund të gjykojë sinqeritetin e ftesës aktuale të Ramës, por tha se e kupton refuzimin e studentëve për të negociuar, pasi kërkesat e tyre kanë ndryshuar.
“Mirëkuptoj insistimin për të mos e zhvilluar tashmë këtë dialog, pasi fazat janë kapërcyer dhe kryeministri aktual është simboli i modelit që studentët nuk e pranojnë më”, deklaroi ai.
Pedagogu komentoi edhe zhvillimet politike në Serbi dhe Hungari, duke i cilësuar ato si shembuj që tregojnë se ndryshimet politike mund të ndodhin përmes mobilizimit qytetar.
“Rasti i Serbisë dhe i Hungarisë na tregojnë se ndryshimi është i mundur, por kërkon mobilizim popullor, kërkon një masë të caktuar të mendimit të kualifikuar të shoqërisë dhe sigurisht energjia e të rinjve, veçanërisht e studentëve, është shumë e rëndësishme”, u shpreh Teqja.
Ai kritikoi gjithashtu paralajmërimet e qeverisë për gjoba të larta dhe dënime me burg për veprimet e dhunshme gjatë protestave, duke argumentuar se masa të tilla nuk duhet të përdoren për të frenuar të drejtën e tubimit.
“Askush nuk mund ta fitojë betejën me studentët. Koha e ka treguar këtë gjë. Këto masa represive nuk i shkojnë një shoqërie demokratike”, deklaroi pedagogu.
Sipas tij, masat ndëshkuese mund të shkaktojnë frikë përkohësisht, por në një periudhë më të gjatë mund të rrisin mbështetjen për protestat.
“Ato mund të trembin për një periudhë të shkurtër kohe disa individë, por në planin më afatgjatë, edhe disa mujor, do të kenë efekte të kundërta dhe do t’i bindin akoma më shumë njerëzit për drejtësinë e protestave që bëhen”, përfi Teqja. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
