Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 7 burime — Krahaso mbulimin →

“As Netflix s’do ta imagjinonte. Skenar apokaliptik”/ Artan Hoxha për skandalin e Vlora Hysenit: Kjo që ndodhi me SHISH-in nuk do ta arrinte as një shërbim armik


Gazetari Artan Hoxha ka komentuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, me gazetaren Nisida Tufa, arrestimin e ish-drejtores së SHISH, Vlora Hysenit, duke e cilësuar situatën si një nga goditjet më të rënda ndaj institucionit të inteligjencës shqiptare. Hoxha tha se niveli i depërtimit të krimit të organizuar në strukturat shtetërore, sipas tij, ka kaluar çdo skenar që mund të imagjinohej.

Gazetari Artan Hoxha ka komentuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, me gazetaren Nisida Tufa, arrestimin e ish-drejtores së SHISH, Vlora Hysenit, duke e cilësuar situatën si një nga goditjet më të rënda ndaj institucionit të inteligjencës shqiptare. Hoxha tha se niveli i depërtimit të krimit të organizuar në strukturat shtetërore, sipas tij, ka kaluar çdo skenar që mund të imagjinohej. Nisida Tufa: Ish-kreu i SHISH është tashmë në arrest shtëpie. Si e komentoni?

Artan Hoxha: Ka ndodhur kaq shumë gjëra kohët e fundit, sa është normalizuar edhe skandali më i madh. Pra kemi shkuar në fazën që po kthehemi dalëngadalë të pandjeshëm. Nuk na çudit asgjë. Jo se s’i kemi ditur, i kemi denoncuar, tashmë i shohim dhe me prova dhe prapë na duket e pabesueshme. Pra, asnjëherë nuk e kam menduar që gjatë gjithë karrierës që unë kam, pak 30 vjet si gazetar, që nuk e kam menduar kurrë që një krim i organizuar mund të shkonte deri në nivele të tilla. Shërbimi informativ, fillimisht SHIK, pra Shërbimi Informativ Kombëtar dhe pastaj SHISH, Shërbimi Informativ Shtetëror, ato kanë pasur historinë e vet, kanë pasur periudha që statusi i tyre ishte shumë i rëndësishëm. Ata ishin me shumë peshë, ishin shumë të frikshëm, kryenin vërtet operacione të cilat edhe sot e kësaj dite kanë lënë pasoja, janë deri me shoqërime, rrëmbime, torturime, deri dhe zhdukje njerëzish kanë bërë.

Por organi ka qenë represiv, sigurisht, në shërbim të atij që mund të ishte në pushtet, por nuk ka qenë i kapur nga krimi i organizuar.

Sa më tepër që Shërbimi Informativ e ka kryesisht punën me shërbimet armike… Nisida Tufa: Po pra, nëse mbështetet te shërbimet partnere, të cilët janë aleatët e Shqipërisë, detyra kryesore e tij është ta mbrojë vendin nga kërcënimi që i vjen…

Artan Hoxha: Nga vendet armike. Dhe ne, për fatin tonë të keq, i kemi shumë afër armiqtë tanë natyralë, të cilët herë pas here duan të na dëmtojnë. Diku i arrijnë qëllimit, diku dështojnë, por janë permanent në sulmin që i bëjnë vendit tonë për ta dobësuar, edhe si demokraci, edhe si shoqëri, edhe si shtet. Por unë besoj që as në ëndrrat më të mëdha që mund të kenë kaluar nëpër mend shërbimet e vendeve armike, nuk besoj që do të mendonin të realizonin një operacion të tillë që t’i shkaktonin shërbimit tonë shtetëror një katastrofë të këtij niveli.

Pra, edhe sikur Federata Ruse, ku di unë, shërbimi serb, shërbimi grek, shërbimi iranian të bëheshin bashkë dhe të përdornin të gjitha energjitë e tyre, burimet financiare, burime njerëzore, teknologjike për t’i shkaktuar Shqipërisë këtë gjë, unë besoj që nuk do ta kishin arritur. Dhe këtë gjë pra nuk e arritën gjithë këto shërbime të mëdha, me famë globale, pra famë të keqe, dhe e arriti shërbimi i Sukthit, shërbimi i Xhavzotajt, i Hamllajt. Pra duket në një skenë, domethënë, apokaliptike. Unë nuk e di, edhe për dashamirësit e Netflix-it që shohin ato serialet “Narcos”, nuk besoj që regjisorëve të famshëm atje do t’u shkonte në mendje ta bënin fiction një gjë të cilën ne e bëmë në realitet. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Artan Hoxha