Irani njoftoi se ka arritur një marrëveshje me Omanin për krijimin e një rruge detare nëpër Ngushticën e Hormuzit, e cila sipas Teheranit ndodhet në fazat përfundimtare të negociatave. Megjithatë, autoritetet iraniane theksuan se marrëveshja nuk garanton lundrim të sigurt, duke fajësuar bllokadën detare amerikane ndaj porteve iraniane për mungesën e sigurisë në rajon.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, deklaroi se me Omanin janë dakordësuar koordinatat gjeografike të rrugës së re detare, por nuk dha detaje të tjera mbi projektin.
Ndërkohë, zëvendësministri i Jashtëm Kazem Gharibabadi bëri të ditur se korridori do të jetë i përkohshëm dhe mund të funksionojë për një periudhë prej dy deri në katër muaj.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të rëndësishme të transportit energjetik në botë, pasi përmes saj kalon rreth 20% e tregtisë globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.
Që nga përshkallëzimi i konfliktit mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, trafiku detar në këtë zonë është kufizuar ndjeshëm, ndërsa Irani ka vendosur kontroll të rreptë mbi kalimet e anijeve.
Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se Irani do të përballet me pasoja të rënda nëse ngushtica nuk rihapet shpejt. Nga ana tjetër, Teherani këmbëngul se nuk është duke zhvilluar negociata me Shtetet e Bashkuara për këtë çështje, pavarësisht raportimeve se janë bërë përparime për rifillimin e transportit detar.
Një nga çështjet kryesore që vazhdon të ndajë palët është kërkesa e Iranit për vendosjen e tarifave ndaj anijeve që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Sipas raportimeve, Teherani kërkon një tarifë prej 5–7% të vlerës së ngarkesës, ndërsa Omani propozon rreth 3%, kurse SHBA-ja kundërshton çdo tarifë. Top Channel

