Pacolli dhe Valon Lluka Biznesmeni Valon Lluka, për vite me radhë pjesë e strukturave të biznesit të lidhura me Behgjet Pacollin dhe ish-administrator i shoqërisë koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, është arrestuar në Kosovë. Ai është ndaluar për 48 orë dhe dyshohet për katër vepra penale. Arrestimi vjen pas një viti të trazuar për Llukën, i cili u përplas publikisht me Pacollin pas largimit nga drejtimi i kompanisë së aeroportit, ndërsa emri i tij shfaqet edhe në gjurmët e kompanive të përfshira në projektin “Smart City” në Shqipëri. Biznesmeni Valon Lluka, një emër i njohur në rrethin e kompanive të lidhura me Behgjet Pacollin dhe ish-administrator i shoqërisë koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Lluka është ndaluar për 48 orë nën dyshimet për “Mashtrim”, “Shpërdorim të pasurisë së huaj”, “Keqpërdorim të autorizimeve ekonomike” dhe “Lidhje të kontratës së dëmshme”.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet po vijojnë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa brenda afatit ligjor pritet të vendoset nëse do të kërkohet një masë sigurie ndaj tij.
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person me inicialet V.Ll., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi”, nga neni 323, “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, nga neni 318, “Keqpërdorim i autorizimeve ekonomike”, nga neni 284, dhe për veprën penale “Lidhja e kontratës se dëmshme” nga neni 285 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Lidhur me rastin në fjalë, Prokurori i çështjes në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit. Ndërkohë, Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor, do të shqyrtoje mundësinë për caktimin e ndonjërën prej masave të sigurisë ndaj të pandehurit’’, thuhet në njoftim. Pas kaosit me aksionet, Pacolli shkarkon administratorin e Aeroportit të Vlorës 3 Shtator, 15:24 Arrestimi e rikthen Valon Llukën në vëmendje vetëm një vit pas përplasjes së fortë me ish-bashkëpunëtorin e tij Behgjet Pacolli, me të cilin kishte punuar për një periudhë të gjatë në struktura të lidhura me grupin Mabetex.
Në Shqipëri, emri i Llukës është lidhur veçanërisht me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Ai drejtoi për më shumë se katër vjet shoqërinë “Vlora International Airport”, kompaninë e krijuar për zbatimin e koncesionit 35-vjeçar për projektimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e aeroportit.
Në strukturën e kompanisë, kontrolli kryesor përfi te “Mabco Constructions”, shoqëria e Behgjet Pacollit. Dokumentet e regjistrit tregojnë se Pacolli rezulton pronar përfitues i 98 për qind të shoqërisë koncesionare përmes Mabco-s.
Lluka qëndroi në krye të “Vlora International Airport” nga viti 2021 deri më 1 shtator 2025, kur u largua nga posti i administratorit me vendim të asamblesë së ortakëve.
Por largimi i tij nuk ishte thjesht një ndryshim administrativ.
Ai erdhi në kulmin e një konflikti të fortë mes aksionerëve dhe drejtuesve të kompanisë që administron një prej koncesioneve më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri. Nga Abu Dhabi te njerëzit e Pacollit, skema 142 milionë dollarë e “Smart City”
12 Shtator, 12:08 Pas largimit, Lluka deklaroi se kishte refuzuar të firmoste dokumente që, sipas tij, do ta ekspozonin shoqërinë koncesionare ndaj detyrimeve financiare që lidheshin me një financim prej rreth 100 milionë eurosh.
Pretendimet e tij u kundërshtuan ashpër nga Pacolli.
Ky i fundit e akuzoi publikisht ish-bashkëpunëtorin për keqpërdorim të detyrës dhe përvetësim fondesh. Lluka i mohoi akuzat, duke e kthyer konfliktin që deri atëherë zhvillohej brenda kompanive në një përplasje të hapur publike.
Dokumentet tregojnë ndërkohë se marrëdhënia mes Llukës dhe strukturave të Pacollit kishte qenë shumë më e gjerë sesa vetëm administrimi i aeroportit.
Emri i tij shfaqet në disa kompani në Shqipëri, përfshirë edhe “Mabetex Invest”. Për vite ai ka mbajtur funksione drejtuese në biznese të lidhura me grupin që identifikohet me Pacollin, përpara se marrëdhënia mes tyre të përfnte në konflikt.
Një tjetër episod i rëndësishëm lidhet me lëvizjet e aksioneve të Aeroportit të Vlorës.
Në prill 2025, Valon Lluka firmosi në cilësinë e administratorit të Mabco-s kontratën e shitjes së një pjese të aksioneve drejt “2A Group”, kompanisë së Valon Ademit. Për firmën e Llukës u përdor një autorizim i dhënë nga asambleja e Mabco-s në vitin 2023, dokument që mbante firmën e Behgjet Pacollit.
Marrëdhëniet mes palëve u përmbysën vetëm pak muaj më vonë, duke prodhuar një seri padish, pretendimesh për vlefshmërinë e transferimit të aksioneve dhe ndërhyrjen e gjykatës në konfliktin mes ortakëve.
Por Aeroporti i Vlorës nuk është e vetmja pikë ku emri i Llukës lidhet me projekte të mëdha në Shqipëri.
Gjurmët e tij shfaqen edhe te “Specialized Service Provider”, një kompani e përfshirë në punime dhe furnizime që lidhen me projektin “Smart City Albania”.
Dokumentet e regjistrit të pronarëve përfitues tregojnë se Valon Lluka rezulton pronar përfitues indirekt i 25 për qind të “Specialized Service Provider”. Pjesëmarrja kalon përmes kompanisë “Investia Holding”, në një strukturë pronësie ku shfaqen edhe persona të tjerë të lidhur me ish-drejtues të Mabetex.
“Specialized Service Provider” është identifikuar si një prej kompanive të përfshira në terren në projektin “Smart City”, sistemin kombëtar të monitorimit që po ndërtohet në Shqipëri.
Projekti financohet përmes një huaje prej 118.5 milionë dollarësh të marrë nga Fondi i Abu Dhabit për Zhvillim dhe zbatimi i tij i është besuar kompanisë “Presight AI”, pjesë e grupit teknologjik G42 me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sistemi parashikon mijëra kamera fikse dhe kamera trupi për policinë, radarë, sensorë, programe analitike dhe qendra kontrolli në të gjithë vendin.
Kjo krijon një tjetër lidhje të biznesmenit kosovar me projekte të mëdha publike në Shqipëri, pas rolit të tij shumëvjeçar në Aeroportin e Vlorës.
Për vite Valon Lluka ka qenë drejtues në kompani të lidhura me Behgjet Pacollin, drejtoi shoqërinë që mori përsipër koncesionin e Aeroportit të Vlorës, firmosi dokumente të rëndësishme në konfliktin e mëvonshëm të aksioneve dhe sot rezulton pronar përfitues në një kompani që është përfshirë në punimet e projektit “Smart City”. /Pamfleti pacolli valon lluka Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet Rossmann & Lala vijon uljen e çmimeve, këtë herë në produktet e kozmetikës 7 Tetor 2026, 16:4016:40Aktualitet Satirë/ Berti i “duraluminit” merr në qafë shef Shpatarakun! Ishte maskuar si Gys Agasi... 7 Tetor 2026, 15:5015:50Aktualitet BSH zbarkon në 'Raiffeisen Bank', dyshohet për ndërhyrje dhe përgjegjësi në nivele drejtuese 7 Tetor 2026, 15:4515:45Aktualitet Kryeprokurori ende në pritje, në KLP vijojnë përplasjet; rrëzohet kërkesa për Vatë Stakën 7 Tetor 2026, 15:3315:33Aktualitet Orë ‘Richard Mille’, 4 iPhone dhe çantë me euro, sendet që iu sekuestruan Ergys Agasit në momentin e arrestimit; Shpataraku me çantë ‘Hermes’ 7 Tetor 2026, 14:4214:42Aktualitet Alarmi demografik: Vlora dhe Gjirokastra ndër rajonet më të plakura të Europës 7 Tetor 2026, 13:3713:37Aktualitet

