Policia e Shtetit ka ekzekutuar ditën e sotme urdhërarrestin për Eno Agasin, i cili ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Tiranës pas hetimeve të nisura për zhdukjen e një sasie të konsiderueshme vere nga kantina në pronësi të kushëririt të tij, Ergys Agasi.
Sipas të dhënave paraprake nga grupi hetimor, ngjarja ka marrë udhë pasi është kryer inventarizimi i mallit në kantinë. Sasia e verës, e cila kap vlerën e miliona eurove, ishte lënë përkohësisht në magazinë sepse procedurat doganore nuk lejonin transportimin e saj gjatë orëve të natës. Megjithatë, kur përgjegjësit janë rikthyer mëngjesin e ardhshëm për të kryer tërheqjen e mallit, kanë konstatuar se e gjithë sasia e verës mungonte.
Dyshimet kryesore të hetuesve bien mbi Eno Agasin si i përfshirë drejtpërdrejt në largimin e kësaj sasie të madhe verë. Situata rëndohet edhe më tej nga faktet e grumbulluara, sipas të cilave janë fshirë edhe pamjet e kamerave të sigurisë në ambientet e kantinës, një veprim ky i kryer me synim pengimin e zbardhjes së ngjarjes dhe fshehjen e provave.
Ndaj të arrestuarit tashmë rëndojnë disa akuza penale, ku përfshihen kontrabanda me mallra që paguajnë akcizë, magazinimi i mallrave që paguajnë akcizë, si dhe kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Çështja po ndiqet nga prokurori Bledar Valikaj. Ndërsa pjesa e dosjes që lidhet me Ergys Agasin i është referuar më parë për kompetencë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, hetimet për kushëririn e tij po vijojnë të kryhen pranë Prokurorisë së Tiranës.

