Policia austriake ka arrestar gjashtë persona, mes tyre tre shqiptarë dhe tre italianë, të dyshuar për trafik droge. Operacioni u zhvillua pranë Schwechat, në afërsi të Vjenës, pas një hetimi të nisur nga autoritetet kriminale austriake. Sipas hetimeve, personat ishin përfshirë në transportin e një sasie të konsiderueshme kokaine. Në kuadër të operacionit, autoritetet ndoqën një prej të dyshuarve dhe më pas ndërhynë për arrestimin e grupit. Gjatë kontrolleve, policia gjeti një kartë aksesi për një dhomë hoteli në Niederösterreich, ku u sekuestruan rreth 11 kilogramë kokainë, para cash dhe telefona celularë. Të arrestuarit janë vënë në dispozicion të drejtësisë, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë aktivitetin e grupit.

