Personi në foto është Ardian Beçina, efektiv i kriminalistikës, në banesën e të cilit është vendosur lëndë plasëse. Shpërthimi ka ndodhur në zonën e Unazës Perëndimore të qytetit të Shkodrës, ndërsa në momentin e ngjarjes në banesë ndodheshin edhe persona të tjerë. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Pas ngjarjes, në vendin e incidentit kanë mbërritur forcat e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave. Grupi hetimor po mbledh prova dhe po kryen veprimet e nevojshme për identifikimin e autorëve të mundshëm.
Dyshimet paraprake janë se ngjarja mund të ketë lidhje me detyrën e efektivit të kriminalistikës, por kjo pistë mbetet ende për t’u verifikuar. Hetimet vijojnë për të përcaktuar motivet e sulmit dhe për të zbardhur përgjegjësitë e personave të përfshirë.

