Qeveria shqiptare ka pësuar një pengesë juridike në përpjekjen për të marrë kontrollin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, pasi një urdhër emergjent i datës 16 shtator 2026, i nxjerrë në kuadër të procedurës së arbitrazhit të administruar nga ICC, ka vendosur masa sigurie ndaj veprimeve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sipas urdhrit, Ministria nuk mund të marrë posedimin apo kontrollin operacional të aeroportit, të kërkojë dorëzimin e aseteve apo të zëvendësojë shoqërinë koncesionare VIA me një operator tjetër. Masa synon të ruajë gjendjen ekzistuese deri në krijimin e Tribunalit të Arbitrazhit dhe shqyrtimin e mosmarrëveshjes në themel, pa dhënë ende një vendim përfundimtar mbi vlefshmërinë e zgjidhjes së kontratës.
Njoftimi për zgjidhjen e kontratës ishte parashikuar të hynte në fuqi më 17 shtator 2026, pas përfundimit të afatit të përcaktuar nga Ministria. Megjithatë, urdhri i arbitrazhit bllokon përkohësisht pasojat kryesore të këtij vendimi, duke penguar marrjen e aeroportit apo kalimin e tij te një operator tjetër. Mosmarrëveshja mes VIA-s dhe autoriteteve shqiptare pritet të vijojë në arbitrazh, ndërsa kohëzgjatja e procesit deri në një vendim përfundimtar mbetet e pasigurt.

