Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar për situatën turistike në qarkun e Lezhës, duke ngritur shqetësimin për problematikat që, sipas tij, po shoqërojnë sezonin veror, duke u ndalur te aksidentin i sotëm tragjik në Rrjoll. “Siguria në plazhe nuk mund të jetë thjesht një tabelë apo një deklaratë. Kërkohen roje bregdetare të pranishëm, kullat e vrojtimit funksionale, mjete shpëtimi, sinjalistikë, monitorim dhe ndërhyrje të shpejtë në çdo rast emergjence.
Çdo jetë e humbur në det është një tragjedi për familjen, por edhe një kambanë alarmi për institucionet.
Problemet nuk mbarojnë këtu.”, shkruan ai në një reagim në rrjetet sociale.
Gjekmarkaj thotë se, pavarësisht pretendimeve për rritje të fluksit të turistëve, bizneset në Shëngjin raportojnë një numër më të ulët pushuesish krahasuar me një vit më parë. Ai rendit ndër problematikat kryesore ndërprerjet e energjisë elektrike dhe mungesën e ujit të pijshëm në Shëngjin, Tale, Patok, Ishull-Lezhë, Balldren, Zejmen, Zadrimë dhe zona të tjera të qarkut.
Një pjesë të reagimit të tij Gjekmarkaj ia kushton sigurisë në plazhe, pas rasteve tragjike të mbytjeve në Shëngjin dhe Tale. Sipas tij, siguria e pushuesve kërkon roje bregdetare, kulla vrojtimi funksionale, mjete shpëtimi, sinjalistikë dhe ndërhyrje të shpejtë në rast emergjencash. Deputeti ngre gjithashtu shqetësime për trafikun në aksin Milot-Lezhë-Shëngjin dhe për problematikat në shërbimin shëndetësor, duke pretenduar se raste të turistëve të trajtuar në spitale kanë nxjerrë në pah mungesa të medikamenteve dhe shërbimeve bazë.
Gjekmarkaj kritikon qeverinë për deklaratat mbi “flukset rekord” turistike, duke argumentuar se turizmi nuk mund të mbështetet vetëm te statistikat, por kërkon infrastrukturë, energji, ujë, rrugë, shëndetësi dhe siguri.
“Turizmi ndërtohet me infrastrukturë, energji, ujë, rrugë, shëndetësi, siguri dhe mbi të gjitha me garantimin e jetës së pushuesve”, shprehet ai, duke theksuar se Lezha ka potencial të madh turistik, por ky potencial, sipas tij, mbetet i pashfrytëzuar për shkak të mungesës së shërbimeve dhe investimeve.
Reagimi i plotë:
VDEKJE NË PLAZHE, TRAFIK DHE MUNGESË DRITASH, ANA TJETËR E REALITETIT TURISTIK
Sezoni turistik në Lezhë, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, po përballet me pasoja të shumta. Ndërsa Bashkia Lezhë dhe qeveria mburren me një “fluks” turistësh, nga terreni bizneset sjellin të dhëna krejt të tjera, ku Shëngjini po përballet me një numër më të ulët turistësh krahasuar me vitin e kaluar.
Dhe kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me mungesën e shërbimeve.
Zona bregdetare e Shëngjinit, Tales, Patokut dhe pjesë të tjera të qarkut janë përballur me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike dhe mungesë të ujit të pijshëm.
Lezha mund të jetë një nga shembujt më të qartë të mungesës së shtetit në raport me investimet dhe shërbimet bazë.
OSHEE është një tjetër histori dështimi. Si në verë, ashtu edhe në dimër, mijëra banorë mbeten në terr për orë të tëra. Zona e Hotelit të Gjuetisë, Ishull-Lezha në tërësi, Balldreni, Zejmeni, Zadrima, Bregu i Matës dhe zona të tjera përballen vazhdimisht me probleme të energjisë. E njëjta situatë është edhe në Mirditë e Kurbin.
Dhe pastaj qeveria pret rritje të turizmit!
Si mund të presësh më shumë turistë kur nuk garanton energji, ujë, rrugë dhe shërbime minimale?
Por një tjetër problem serioz është siguria në plazhe.
Këtë sezon, Shëngjini dhe Talja janë përballur me raste tragjike mbytjesh. Sot humbi jetën një i ri, duke e bërë edhe më të dhimbshme pyetjen se sa të sigurta janë plazhet tona dhe sa seriozisht po merret shteti me sigurinë e pushuesve.
Siguria në plazhe nuk mund të jetë thjesht një tabelë apo një deklaratë. Kërkohen roje bregdetare të pranishëm, kullat e vrojtimit funksionale, mjete shpëtimi, sinjalistikë, monitorim dhe ndërhyrje të shpejtë në çdo rast emergjence.
Çdo jetë e humbur në det është një tragjedi për familjen, por edhe një kambanë alarmi për institucionet.
Problemet nuk mbarojnë këtu.
Trafiku është kthyer në një makth. Nga Miloti drejt Lezhës dhe Shëngjinit, në ditët e sezonit turistik, udhëtimi mund të zgjasë me orë të tëra. Pushuesit që duhet të shijojnë pushimet përfjnë të bllokuar në trafik.
Edhe më shqetësuese është gjendja e shërbimit shëndetësor. Raste të turistëve që kanë përfunduar në spitale kanë ngritur pikëpyetje serioze për mungesën e medikamenteve dhe shërbimeve minimale që duhet të ofrohen.
Turizmi nuk ndërtohet me statistika propagandistike dhe deklarata për “flukse rekord”.
Turizmi ndërtohet me infrastrukturë, energji, ujë, rrugë, shëndetësi, siguri dhe mbi të gjitha me garantimin e jetës së pushuesve, që fatkeqësisht Lezhës i mungojnë.
Lezha ka potencial të jashtëzakonshëm turistik. Por potenciali nuk mjafton kur shteti mungon pikërisht aty ku duhet të jetë më shumë i pranishëm. Top Channel

