Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka monitoruar protestat e zhvilluara në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, me qëllim evidentimin dhe verifikimin e rasteve të dyshuara për shkelje ligjore nga punonjësit e Policisë së Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës. Agjencia bën me dije se po ndjek nga afër situatën dhe ka evidentuar raste konkrete gjatë protestave.
Në kuadër të verifikimeve, AMP ka administruar pamje filmike të transmetuara nga mediat audiovizive, si dhe materiale të publikuara në rrjetet sociale. Të gjitha provat do t’i nënshtrohen analizës përkatëse, me qëllim zbardhjen e rrethanave të çdo rasti dhe përcaktimin e përgjegjësive, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
AMP njofton se për rastet e evidentuara po vijojnë veprimet në bashkëpunim me strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, ndërsa për rastet me elemente të dyshuara të veprave penale, procedurat po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. Agjencia thekson se do të vijojë monitorimin dhe verifikimin e çdo rasti, duke garantuar paanshmërinë, llogaridhënien dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve.

