Donald Trump / Kur një deklaratë e Presidentit të Shteteve të Bashkuara mund ta ulë naftën me 7 për qind dhe një tjetër deklaratë të rikthejë frikën e luftës, problemi nuk është më vetëm diplomatik. Është edhe ekonomik, institucional dhe etik. Amerika nuk ka nevojë vetëm për një president të fortë; ka nevojë për një president, fjalimet e të cilit nuk shndërrohen në instrument spekulimi financiar... Ka një arsye pse fjalët e Presidentit të Shteteve të Bashkuara peshohen historikisht me kujdes.
Një fjalë e thënë në Zyrën Ovale mund të qetësojë një aleat, të trembë një kundërshtar, të frenojë një luftë. Por edhe mund të lëvizë miliarda dollarë brenda pak minutash.
Dhe këtu fillon problemi i Donald Trump me Iranin.
Prej muajsh, Presidenti amerikan lëviz mes dy gjuhëve që vështirë se mund të ishin më të ndryshme. Në njërën, marrëveshja është afër, diplomacia po funksionon dhe lufta mund të shmanget. Në anën tjetër, Irani përballet me kërcënimin e forcës, kapitullimit dhe një shkatërrimi total.
Mund ta quajmë strategji negociuese.
Mund ta quajmë diplomaci detyruese.
Mund ta quajmë edhe “paparashikueshmëri strategjike”, një metodë që Trump e ka përdorur prej kohësh për t'i bërë kundërshtarët të mos jenë kurrë të sigurt se cili do të jetë hapi i tij i ardhshëm.
Por ekziston një problem që e tejkalon Iranin.
Tregjet financiare dëgjojnë çdo fjalë. Dhe tregjet nuk merren me metafora. Ato blejnë dhe shesin.
Më 3 gusht, pasi Trump frenoi një sulm të ri dhe foli për negociata me Iranin, çmimi i Brent-it ra rreth 7 për qind. Wall Street u ngjit fuqishëm: Dow Jones shënoi rekord, S&P 500 fitoi rreth 1.5 për qind dhe Nasdaq më shumë se 2 për qind.
Pak ditë më vonë, kur optimizmi diplomatik u zbeh dhe Presidenti vendosi kërkesa të reja ndaj Teheranit, drejtimi ndryshoi. Nafta amerikane u rrit rreth 5 për qind në një ditë dhe bursat u tërhoqën.
Nuk po flasim më për nuanca akademike të politikës së jashtme.
Po flasim për miliarda dollarë që ndërrojnë vlerë ndërsa Presidenti ndryshon ton.
Dhe pikërisht këtu Uashingtoni duhet të jetë jashtëzakonisht i kujdesshëm.
Problemi nuk është të provosh një komplot
Nuk ka prova publike që Donald Trump po formulon politikën ndaj Iranit për të përfituar nga lëvizjet e bursës, pavarësisht se i biri bën biznes në bursë.
Por demokracitë e mëdha nuk ndërtohen vetëm mbi parimin se një konflikt interesi duhet provuar pasi dëmi është bërë. Ato ndërtohen mbi një standard shumë më të lartë: pushteti publik duhet të jetë i organizuar në mënyrë të tillë që dyshimi i arsyeshëm për përfitim privat të ketë sa më pak hapësirë.
Dhe kur familja e Presidentit ka interesa të konsiderueshme biznesi dhe investimesh, ndërsa fjala e Presidentit është në gjendje të ndryshojë çmimet globale brenda minutash, transparenca nuk është luks politik.
Është detyrim institucional.
Çështja bëhet edhe më e ndjeshme kur vendimet nuk prekin një kompani periferike të Wall Street-it, por Iranin, naftën dhe Ngushticën e Hormuzit.
Nëpër atë korridor kalonte, përpara konfliktit, afërsisht një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm të tregtuar globalisht.
Një fjali për paqen ndryshon pritshmëritë për furnizimin.
Një kërcënim për bombardime ndryshon primin e rrezikut.
Një sinjal për hapjen e Hormuzit prek naftën, kompanitë ajrore, transportin detar, sigurimet, obligacionet, inflacionin dhe pritshmëritë për normat e interesit.
Pra, Presidenti nuk po flet vetëm me Ajatollahët.
Në të njëjtën sekondë po flet edhe me Wall Street-in.
Presidenca nuk mund të funksionojë si një “ticker”
Problemi më serioz nuk është se Trump është i paparashikueshëm.
Ndonjëherë paparashikueshmëria mund të jetë armë diplomatike.
Richard Nixon e përdori dikur atë që njihej si “madman theory”: kundërshtari duhej të besonte se Presidenti amerikan mund të shkonte më larg nga sa sugjeronte racionaliteti tradicional.
Por bota e vitit 2026 është shumë më e financiarizuar.
Algoritmet lexojnë lajmet në milisekonda. Fondet reagojnë ndaj një postimi presidencial përpara se diplomatët të kenë kohë ta interpretojnë. Çmimi i naftës mund të ndryshojë ndërsa një deklaratë presidenciale është ende duke u transmetuar.
Kjo krijon një përgjegjësi të re.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka të drejtë të negociojë fort. Ka të drejtë të kërcënojë kur interesat kombëtare amerikane e kërkojnë. Ka të drejtë edhe të ndryshojë strategji kur realiteti në terren ndryshon.
Por ai nuk duhet ta bëjë politikën e jashtme të duket si një grafik burse që ngrihet në mëngjes dhe bie në darkë.
Sepse në fund humbet diçka më e vlefshme se një indeks financiar.
Humbet besueshmëria e fjalës amerikane.
Amerika ka nevojë për një mur mes pushtetit dhe parasë
Debati, pra, nuk duhet reduktuar në pyetjen nëse Trump apo familja e tij kanë përfituar nga ndonjë lëvizje konkrete e tregjeve.
Pa prova, kjo do të ishte akuzë, jo gazetari.
Por është krejt legjitime pyetja ime:
A ka Amerika mekanizma të mjaftueshëm transparence për t'i garantuar qytetarët dhe tregjet se askush pranë pushtetit presidencial nuk mund të përfitojë nga informacioni që lëviz botën përpara se bota ta marrë vesh?
Kjo pyetje duhet bërë pavarësisht nëse presidenti quhet Donald Trump, Joe Biden apo dikush tjetër.
Sepse Presidenca amerikane është më e madhe se njeriu që e mban për katër vjet.
Dhe standardi duhet të jetë po aq i thjeshtë sa është i lartë: sa më shumë pushtet ke për të lëvizur tregjet, aq më larg duhet të qëndrojnë interesat e tua private prej tyre.
Presidenti amerikan mund të negociojë luftën dhe paqen. Mund të negociojë sanksionet. Mund të negociojë Hormuzin. Mund të negociojë me Teheranin deri në minutën e fundit.
Por qytetarët duhet të jenë absolutisht të bindur për një gjë: se Presidenti i tyre negocion për Amerikën, jo për portofolin e askujt.
Sepse Shtëpia e Bardhë nuk është fond investimesh.
Zyra Ovale nuk është terminal Bloomberg.
Dhe lufta e paqja nuk mund të shndërrohen në sinjale “buy” dhe “sell”.
Në fund, Amerikës nuk i duhet domosdoshmërisht një president që flet më pak.
I duhet një president, fjala e të cilit nuk luan në bursë./Pamfletiamerikës i duhet një president që nuk luan në bursë gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Kulti i Edi Ramës po shpërbëhet! 15 Gusht 2026, 10:2010:20Editorial Nuk mund të jetojmë të gjithë në breg të Lanës 14 Gusht 2026, 09:4709:47Editorial Kush po e kontrollon Ngushticën e Hormuzit? 13 Gusht 2026, 10:3610:36Editorial Mos u mërzisni, do ta bëjmë edhe Parisin si Kuçin e Vlorës 12 Gusht 2026, 12:3812:38Editorial Çfarë fshihet pas deklaratës së Vuçiçit për Ibrin? 11 Gusht 2026, 10:3010:30Editorial Çfarë po luhet mes Kievit dhe Beogradit? 10 Gusht 2026, 10:0810:08Editorial

