Nuk kam bërë thirrje për dhunë, në asnjë rast dhe kurrë. Nuk jam askush të gjykoj apo të paragjykoj këdo që zgjedh të protestojë. Këto dy ditë kam nguruar edhe të shkruaj, sepse situata është mjaft delicate dhe mendoj se është shumë më tepër serioze sesa perceptohet. Megjithatë, mjafton të shohim se çfarë ka ndodhur dhe po ndodh çdo ditë rreth nesh për të kuptuar thelbin e asaj që po përjeton Shqipëria. Pushteti nuk ka pasur kurrë as durimin dhe as kurajën ta shikojë realitetin ashtu siç është. Në mënyrë të dëshpëruar, ai vazhdon ta interpretojë çdo ngjarje vetëm përmes këndvështrimit të interesit të vet politik. Ka dy ditë që lodhen duke na mbushur mendjen se ata që protestojnë nuk janë studentë. Në fillim të protestave u munduan të na thoshnin se ishin të huaj, iranianë e ku ta di unë se çfarë tjetër. Por çfarë rëndësie ka nëse janë studentë apo jo? Kush tha se një shoqëri mund të ndahet me thikë në të rinj e të moshuar, apo në studentë e pensionistë përpara një të drejte apo shqetësimi qytetar? Cila literaturë botërore na thotë se po protestoi njëra kategori, nuk mund të protestojë tjetra? Me aq sa po shoh, pa disponuar të dhëna të exacta — që siç duket nuk i disponojnë as vetë institucionet — kjo protestë ka nisur dhe është dominuar nga të rinjtë e Generatës Z. Studentë apo jo, nuk besoj se në shesh i kërkohet kujt vërtetimi i universitetit apo aboneja e studentit. Sepse kur një i ri del në protestë, ai ka miq, vëllezër, kushërinj e prindër që mund të dalin edhe ata në krah të tij. Pushteti bën gjithçka për të demontuar protestën dhe figurën e protestuesve, por refuzon të merret me thelbin: pse po protestojnë dhe a kanë arsye të protestojnë? Mjafton kjo tablo si provë për dhjetëra arsye të ngjashme për të dalë në shesh. LEXO EDHE:Sulmet ndaj institucioneve financiare, Shoqata e Bankave: Depozitat janë të sigurta, shërbimet do të varen nga siguria Çfarë ka bërë në fakt ky establishment në këto 36 vite? Ka krijuar një trashëgimi të mbyllur ku pushteti transmetohet me breza: vdes prindi si deputet apo diplomat dhe vendin e zë fëmija. bashkë me të edhe pasuria e privilegjet. Politika ka prodhuar pasanikë, ndërsa pasanikët sot po monopolizojnë e po kontrollojnë çdo sektor në Shqipëri pikërisht për shkak të lidhjeve me politikën. Fëmijët dhe të afërmit e pushtetarëve studiojnë në universitetet më të mira e më të shtrenjta në botë, me bursa e të ardhura të larta të garantuara nga prindërit e tyre si privilegje të angazhimit publik. Ndërkohë, familjet normale me zor mbyllin muajin dhe fëmijët e tyre jetojnë gjithë kohës në varfëri, nën presionin e pamerituar të një shoqërie thellësisht të padrejtë. Sot në Shqipëri mund të shkëlqesh, mund të rrish ditë e natë mbi libra e të mbarosh me rezultate të shkëlqyera, por në fund përfn mes katër rrugëve në kërkim të dëshpëruar të një të ardhmeje që nuk duket askund. Detyrohesh të shkosh e të kërkosh punë te ndonjë "idiot funksional" që pushteti e ka bërë drejtor, ministër apo drejtues, ose largohesh përgjithmonë nga Shqipëria nga dëshpërimi, për të gjetur shpresën në një vend të huaj ku meritokracia respektohet. Kjo është Shqipëria e paradokseve të mëdha, e padrejtësive të mëdha dhe e shanseve të pabarabarta. Kjo është arsyeja pse sot shumë njerëz kanë zgjedhur protestën, e ndoshta më shumë se kaq, edhe revoltën. Sepse shpesh revolta e shpirtit është shumë më e fortë se revolta fizike, dhe kam përshtypjen se shumë të rinj sot mbartin më shumë revoltë shpirti ndaj padrejtësive sesa thjesht revoltë fizike. Të tjerët, që me vetëautorizim si figura publike po bëjnë statuse në linjë me pushtetin duke mos e trajtuar Shqipërinë ashtu siç është çdo ditë, por ashtu siç e sheh pushteti, bëjnë më mirë të heshtin. Si ata që nxisin dhunën, ashtu edhe ata që thonë se protesta nuk është zgjidhje, janë po njësoj fajtorë dhe nuk i shërbejnë aspak situatës serioze që po kalon sot vendi. R.Xh/Shqiptarja.com TAG: proteste protestat kunder qeverise Tirane qeveria alban daci Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 3.0 / 5 (2 vlerësime) Faleminderit! OPINIONET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
15 Tetor, 13:43
A i mbështesni protestat e dhunshme në vend? Po 20.3% Jo 76% Disi 3.7% Vota total: 997 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 15 Tetor, 13:43 A i mbështesni protestat e dhunshme në vend?

