Një mesazh kërcënues për bombë u është dërguar disa institucioneve shtetërore në Shqipëri, duke shkaktuar alarm dhe aktivizimin e masave të sigurisë. Sipas raportimeve, emaili u është drejtuar Kryeministrisë, ministrive, institucioneve të drejtësisë dhe Bankës së Shqipërisë. Në mesazh pretendohet se brenda një ndërtese është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO).
Përveç kërcënimit për bombë, dërguesit paralajmërojnë një seri sulmesh të planifikuara terroriste në territorin e vendit. Në email përfshihen edhe mesazhe me përmbajtje ekstremiste, ku kërcënohet me përshkallëzim të sulmeve dhe përmendet vendosja e Sheriatit. Deri në këtë fazë, pretendimet e përfshira në mesazh nuk përbëjnë konfirmim se ekziston realisht një mjet shpërthyes.
Pas marrjes së kërcënimit, masat e sigurisë janë shtuar në disa institucione. Gjykata e Fierit dhe Prokuroria e këtij qyteti janë evakuuar, ndërsa administrata është vënë në alarm dhe në zonë është shtuar prania e forcave të Policisë. Autoritetet po trajtojnë situatën me seriozitet, ndërsa kontrollet synojnë të verifikojnë vërtetësinë e kërcënimit dhe të garantojnë sigurinë e qytetarëve dhe punonjësve të institucioneve.

