Lituania ka ngritur alarmin për mundësinë e një provokimi rus në rajonin e Baltikut, duke paralajmëruar për një skenar të mundshëm me “flamur të rremë” kundër vendeve anëtare të NATO-s. Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Robertas Kaunas, tha se autoritetet po monitorojnë nga afër aktivitetet dhe planet e Rusisë, ndërsa po shkëmbejnë informacione me Poloninë dhe aleatët e tjerë të NATO-s.
“Ne po vlerësojmë dhe monitorojmë nivelin e kërcënimit”, deklaroi Kaunas, duke theksuar se aktualisht nuk ka një datë apo informacion konkret për një sulm të mundshëm.
Sipas raportimeve të mediave lituaneze, një nga skenarët që po shqyrtohet është përdorimi i dronëve të prodhuar në Ukrainë, të kapur ose të modifikuar, për të kryer një sulm ndaj infrastrukturës kritike dhe më pas për t’ia atribuuar Ukrainës.
Sipas ministrit lituanez, një veprim i tillë do të kishte si qëllim testimin e reagimit dhe vendosmërisë së NATO-s në mbështetje të Ukrainës.
Megjithatë, Kaunas bëri të qartë se rreziku për një sulm tradicional ushtarak ndaj Lituanisë mbetet i ulët.
Paralajmërimet vijnë pas disa muajsh shqetësimesh nga vendet e Baltikut dhe Polonia për mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve me Rusinë. Lituania ka raportuar gjithashtu disa alarme të lidhura me dronë gjatë muajve të fundit. Top Channel

