Lajme Zone
Akuzat e reja kundër Ballukut/ Reagon Gazment Bardhi: Edhe sa vila të padeklaruara duhet t’i zbulohen, që SPAK të sjellë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit?
PolitikëBalkanWeb

Akuzat e reja kundër Ballukut/ Reagon Gazment Bardhi: Edhe sa vila të padeklaruara duhet t’i zbulohen, që SPAK të sjellë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit?

Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka reaguar pas akuzave të reja të ngritura nga SPAK ndaj Belinda Ballukut, duke kërkuar heqjen e imunitetit parlamentar të saj.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka reaguar pas akuzave të reja të ngritura nga SPAK ndaj Belinda Ballukut, duke kërkuar heqjen e imunitetit parlamentar të saj. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së thotë se pozita penale e Ballukut është rënduar sërish me tre akuza të reja, krahas asaj për shkeljen e barazisë në tendera. Bardhi ndalet edhe te sekuestrimi i vilës në Palasë të Ballukut. Në reagimin e tij, deputeti i PD-së ngre pikëpyetje mbi arsyet pse SPAK nuk i është drejtuar ende Kuvendit për heqjen e imunitetit të Ballukut. Ai i referohet gjithashtu një deklarate të mëparshme në Kuvend se rëndimi i pozitës penale duhet të shoqërohet me rëndimin e masës së sigurimit. Bardhi thekson se drejtësia po vonon veprimet dhe kërkon që imuniteti i Ballukut të hiqet për t’i hapur rrugë arrestimit të saj. REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMEMTAR TË PD, GAZMENT BARDHI Edhe sa vila të padeklaruara duhet t’i zbulohen Belinda Ballukut, në mënyrë që SPAK të sjellë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit për t’i hapur rrugë arrestimit të saj?

Sot, pozita penale e Belinda Ballukut është rënduar përsëri. SPAK e ka marrë të pandehur edhe për 3 akuza të reja: Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë. Fshehje ose mosdeklarim të pasurisë. Pastrim të produkteve të veprës penale, në rrethana cilësuese. Të treja këto i shtohen akuzës së mëparshme: Për shkelje të barazisë në tendera, që përfshin 8 procedura tenderimi. Siç kisha paralajmëruar shumë muaj më parë, SPAK, më në fund, e gjeti edhe vilën e dytë dhe gjykata ka urdhëruar sekuestrimin e vilës në Palasë, të cilën Belinda Balluku ia ka marrë Arbër Abazit të Aeroportit të Vlorës dhe, njësoj si vilën nr.1, e ka vënë sërish në emrin e Igli Tares.

Media ka raportuar se janë 300 vila të tilla, në çdo resort të ndërtuar në vend. Do të duhet që të zbulohen të 300-a përpara se SPAK-u të zbatojë ligjin dhe të respektojë standardin e deklaruar dhe të zbatuar dhjetorin e kaluar nga vetë Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme? Zoti Braho ka deklaruar në Kuvend se, “kur rëndohet pozita penale e një të pandehuri, duhet të rëndohet edhe masa e sigurimit ndaj tij.”

Bashkë me këtë të sotmen, pozita penale e Belinda Ballukut është rënduar jo 1 herë, por 4 herë, me akuzat më të rënda penale që një zyrtar mund të ketë në lidhje me veprat e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.

Atëherë, pse nuk i drejtohet SPAK Kuvendit për heqjen e imunitetit?

Peshorja e drejtësisë nuk duhet të anojë më nga interesi politik i Edi Ramës! Çdo ditë vonesë është përpjekje për të lehtësuar pozitën e Belinda Ballukut dhe për të mbrojtur korrupsionin e saj dhe të Edi Ramës © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: balluku Gazment Bardhi