Një prej aktivistëve që mori fjalën në protestën para Kryeministrisë deklaroi se tubimet nuk do të ndalen deri në largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa akuzoi qeverinë për propagandë dhe inskenime. Sipas tij, protesta ka vënë kryeministrin në vështirësi, gjë që, sipas aktivistit, reflektohet edhe në mënyrën se si paraqitet në publik. “Kjo protestë nuk do të ndalet pa u larguar Edi Rama. Është një protestë shumë e fuqishme dhe e pandalshme. E kuptojmë këtë nga fakti që Rama ka nevojë çdo ditë të tregojë, përmes propagandës, se është ende i fortë”, u shpreh ai. Aktivisti tha se pamjet e kryeministrit gjatë pushimeve, sipas tij, synojnë të krijojnë përshtypjen se ai nuk është i shqetësuar nga protestat.
“Ai përpiqet të tregojë se është i qetë dhe i pashqetësuar, por vetë kjo nevojë për propagandë tregon frikën e tij”, deklaroi ai. Në fund të fjalës së tij, aktivisti u shpreh se protesta do të vijojë edhe në javët në vijim, duke pretenduar se muaji shtator do të jetë vendimtar.
“Nëse kjo protestë arrin të kapë 1 shtatorin, Edi Rama nuk ka shpëtim. Ai po përpiqet të na shpërndajë para se të vijë shtatori, sepse e di se atëherë nuk do ta ketë më të lehtë. Kjo protestë ia ka çjerrë maskën dhe ia ka rrëzuar fasadën”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: protesta
