Aktivisti Edison Lika është arrestuar nga Policia e Shtetit pas një incidenti të regjistruar mbrëmjen e sotme pranë Kryeministrisë, në ditën e 130-të të protestës kundër qeverisë dhe klasës politike që ka qeverisur vendin përgjatë tre dekadave të fundit.
Në pamjet e publikuara në rrjet, Lika shihet teksa afrohet pranë një automjeti që po largohet nga ambientet e Kryeministrisë dhe e godet me vezë.
Pas këtij veprimi, aktivisti largohet me vrap, ndërsa disa efektivë policie e ndjekin për disa metra dhe më pas e arrestojnë.
Incidenti ka ndodhur në një kohë kur protestuesit ishin mbledhur para Kryeministrisë, pasi ishte raportuar se kryeministri Edi Rama ndodhej në godinë.

